Futbolli evropian ka prodhuar shumë talente të jashtëzakonshëm ndër vite, por rrallëherë është parë një lojtar që në moshën 17-vjeçare të ketë ndikim dhe shifra si Lamine Yamal.  

Krahasuar me dy nga lojtarët më të mëdhenj të historisë së futbollit, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi, Yamal po shfaqet si një fenomen i vërtetë. 


Në moshën 17-vjeçare, Cristiano Ronaldo kishte regjistruar 19 paraqitje me 5 gola dhe 4 asistime.  Në atë kohë, Ronaldo luante për ekipin e parë të Sporting Lisbonës në Portugali, një klub i njohur për zhvillimin e talenteve të rinj.

Aftësitë e tij të jashtëzakonshme me topin dhe shpejtësia e bënë të bie në sy shpejt, duke tërhequr vëmendjen e skautëve të klubeve më të mëdha evropiane, para se të kalonte te Man Utd.

Lionel Messi, ndërkohë, kishte arritur të luante vetëm 9 ndeshje, duke shënuar 1 gol dhe pa asnjë asistim. Ai sapo kishte filluar të aktivizohej me ekipin e parë të Barcelonës, pasi kishte kaluar vite në akademinë e famshme La Masia.

Megjithëse paraqitjet ishin të pakta, talenti i tij ishte i dukshëm dhe shumë shpejt ai do të shpërthente si një prej lojtarëve më të mëdhenj të historisë.

Në kontrast të plotë, Lamine Yamal ka arritur të zhvillojë plot 100 ndeshje, duke shënuar 22 gola dhe dhënë 33 asistime — një bilanc që tejkalon ndjeshëm paraqitjet e dy ikonave në të njëjtën moshë. 

Kjo arritje nuk është thjesht statistikore. Yamal ka dëshmuar maturi, teknikë dhe vizion loje që e bëjnë një element të pazëvendësueshëm për Barcelonën dhe Kombëtaren e Spanjës, pavarësisht moshës së tij të re.  

Shpejtësia, kreativiteti dhe qetësia në situata vendimtare tregojnë se ai mund të jetë pasardhësi i madh i epokës së Messit dhe Ronaldos. 

Nëse vazhdon me këtë ritëm, Lamine Yamal jo vetëm që do të thyejë rekorde të shumta, por mund të shkruajë një kapitull të ri në historinë e futbollit botëror. /Telegrafi/  

telegrafi sport app