LAJMI I FUNDIT:
Prishtina 13° lightrain

1 prilli, afati i fundit për pagesën e faturave të mbeturinave – KRM “Pastrimi” paralajmëron dërgim te përmbaruesi

1 prilli, afati i fundit për pagesën e faturave të mbeturinave – KRM “Pastrimi” paralajmëron dërgim te përmbaruesi

Kompania Rajonale e Menaxhimit të Mbeturinave (KRM) “Pastrimi” SH.A, ka njoftuar të gjithë klientët e saj se afati i fundit për pagesën e faturave të mbeturinave është 1 Prill 2025.

Pas kësaj date, KRM “Pastrimi” ka theksuar se të gjithë ata që nuk kryejnë obligimet e pagesës do të procedohen tek Përmbaruesi Privat.

“Për të shmangur procedurën e Përmbaruesit Privat dhe kostot shtesë, KRM “Pastrimi” i inkurajon klientët që të kryejnë pagesat e mbetura brenda këtij afati”, thuhet në njoftim.


Mënyrat për të realizuar pagesën janë të lehta dhe të përshtatshme për të gjithë: Platforma eKosova, me letërnjoftim për amvisëri dhe numër biznesi për biznese, zyrat e pagesës në të gjitha njësitë operative të KRM “Pastrimi”, inkasantët në terren që janë të disponueshëm për t’ju asistuar.

Për klientët që kanë borxhe të akumuluara, KRM “Pastrimi” ofron mundësinë e riprogramimit të borxhit deri në 12 muaj.

KRM “Pastrimi” ju bën thirrje që të kryhen pagesat e faturave për të shmangur pagesat shtesë dhe për të ruajtur shërbimin e rregullt të menaxhimit të mbeturinave. /Telegrafi/