Arsenali ka konfirmuar zyrtarisht se mesfushori ofensiv 18-vjeçar, Ethan Nwaneri, është transferuar te Olympique Marseille në formë huazimi deri në fund të sezonit 2025/26.

Produkti i akademisë Hale End, i cili hyri në histori kur debutoi në Ligën Premier në moshën vetëm 15 vjeç e 181 ditë kundër Brentfordit në shtator të vitit 2022, duke u bërë lojtari më i ri ndonjëherë në këtë kompeticion, do të ketë tani mundësinë të grumbullojë minuta të rëndësishme në ekipin e parë në Ligue 1.


Nwaneri ka zhvilluar 12 ndeshje me Arsenalin në sezonin aktual, ndërsa shpërthimi i tij i vërtetë erdhi sezonin e kaluar, kur u aktivizua plot 37 herë në të gjitha garat, prej tyre 16 si titullar. Ai regjistroi 26 paraqitje në Liga Premier dhe shtatë të tjera në Ligën e Kampionëve, duke u konsideruar si një nga talentet më premtues të klubit londinez.

Mesfushori i ri nënshkroi kontratën e tij të parë profesionale në mars të vitit 2024, sapo mbushi 17 vjeç, ndërsa në gusht të këtij viti firmosi një marrëveshje të re afatgjatë me Arsenalin, çka tregon besimin e madh që klubi ka tek zhvillimi i tij.

Golave të parë me fanellën e Arsenalit i gëzoi në shtator të vitit 2024, kur shënoi dy herë në ndeshjen e Carabao Cup kundër Bolton Wanderers, përpara se të realizonte edhe golin e tij të parë në Ligën Premier në nëntor, në përballjen ndaj Nottingham Forest.

Në njoftimin zyrtar, Arsenali i uroi suksese talentit të ri gjatë aventurës së tij në Francë.

“I urojmë Ethanit gjithë të mirat gjatë kohës së tij te Marseille dhe presim me padurim ta shohim duke zhvilluar talentin e tij në një nga ligat më të forta të Evropë”.

Nwaneri është pjesë e përfaqësueses së Anglisë U-21 dhe ka përfaqësuar “Tre Luanët” në çdo nivel që nga U-16 e lart. Ai është pjesë e Arsenalit që nga mosha tetëvjeçare dhe shihet si një projekt afatgjatë për të ardhmen e klubit./Telegrafi

telegrafi sport app