"Zvicra viktimë, do ta ndihmoja që lojtarët të mos zgjedhin Kosovën" - Blerim Xhemaili me deklaratë skandaloze

Vendimi i Leon Avdullahut për të zgjedhur Kosovën, pasi kishte avancuar në radhët e ekipeve zinxhir të Zvicrës, erdhi vetëm pak ditë pas atij të Eman Kospos, i cili vendosi të përfaqësojë Bosnjën në vend të helvetikëve. Këto vendime i ka komentuar ish mesfushori i helvetikëve, Blerim Xhemaili, i cili e sheh Zvicrën si viktimë, në rastin e ikjes së talentëve.
Leon Avdullahu, shihet si një prej talentëve më premtues, i cili u largua nga Zvicra, për të përqafuar rrënjët e tij – një fenomen që po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm gjatë viteve të fundit.
Shembuj të ngjashëm nga e kaluara janë Mladen Petric dhe Ivan Rakitic, që kishin lënë Zvicrën për të kaluar te Kroacia.
Ish-mesfushori i Kombëtares së Zvicrës, Blerim Xhemaili, e sheh situatën si një sfidë të vazhdueshme për federatën zvicerane, ndërsa ka ofruar ndihmën e tij që lojtarët me prejardhje shqiptare të mos zgjedhin Kosovën dhe Shqipërinë.
“Federata duhet të ndihmohet më shumë, ndoshta duke përfshirë ish-lojtarë si ne, të cilët kanë kaluar nëpër të njëjtat zgjedhje dhe në fund kanë zgjedhur Zvicrën”, deklaroi Xhemiali.
Në pyetjen nëse Zvicra është viktimë apo bashkëpunëtore në këto raste, duke mos i vlerësuar talentët, Xhemaili u përgjigj qartë, duk i dal në krah federatës.
“Mendoj se është më shumë viktimë. Shpesh këta janë lojtarë që nuk do të kishin shumë hapësirë këtu ose përballen me konkurrencë të madhe. Por ndonjëherë është edhe çështje zemre. Të dyja janë të kuptueshme”, ka thënë Xhemaili.
Megjithatë, ai shkoi edhe më larg, duke i paralajmëruar lojtarët si Avdullahu dhe Kospos se një vendim i tillë, largimi nga Zvicra, mund të ndikojë në karrierën e tyre.
“Është një humbje, duhet të kishim luftuar më shumë për ta mbajtur (te Zvicra). Unë për shembull, nëse nuk do të kisha luajtur me Zvicrën, nuk e di nëse do ta kisha pasur të njëjtën karrierë”, përfundoi Xhemaili intevistën e tij për RSI.
Mesfushori bëri karrierë te Zurich, Bologna, Montreal, Galatasaray, Napoli, Torino, Parma dhe Bolton. /Telegrafi/







































