Zhvendosja nga shkolla “Asim Vokshi” në “Zenel Hajdini” në Prishtinë shkakton pakënaqësi te prindërit

Prindërit e nxënësve të shkollës “Asim Vokshi” në Prishtinë kanë mbajtur sot një protestë para shkollës “Zenel Hajdini”, duke kërkuar kthimin e fëmijëve të tyre në objektin e mëparshëm.
Protesta u zhvillua në orët e mëngjesit, ku prindërit shprehën shqetësimet për distancën e madhe që duhet të përshkojnë fëmijët çdo ditë, si dhe për rrezikun që paraqet rruga që kalon përmes magjistrales Prishtinë–Podujevë.

Florim Zejnullahu, një nga prindërit pjesëmarrës në protestë, tha për Telegrafin se fëmijët detyrohen të kalojnë nëpër një rrugë shumë të ngarkuar me komunikacion për të arritur në shkollë - gjersa theksoi se para disa ditësh një fëmijë është përfshirë në një aksident, gjë që ka shtuar pasigurinë tek komuniteti.
“Shqetësimi ynë kryesor është distanca e madhe dhe siguria, pasi që rruga që përshkojnë fëmijët është e ndarë përmes magjistrales Prishtinë–Podujevë, që është rruga më e ngarkuar në Prishtinë” u shpreh ai.
“Është shqetësim shumë i madh për neve, andaj nëse nuk zgjidhet ky problem që të kthehen fëmijët tanë në shkollë ‘Asim Vokshi’, do të vazhdojnë shqetësimet tona, pasi para disa ditësh, një veturë ka shkelur një fëmijë duke ardhur në këtë shkollë”.

“E gjithë shkolla ‘Asim Vokshi’ është bartë këtu, diku mbi 200 nxënës janë bartë këtu. Shkolla ‘Asim Vokshi’ është ndërtuar që ta lehtësojë procesin mësimor të shkollës ‘Zenel Hajdini’”.
“Ne duam urgjentisht që DKA-ja të na kthejë fëmijët në ‘Asim Vokshi’. Largimi nga shkolla është bërë për shkak që të fillojë mësimi tërëditor. Ne kemi bërë ankesë edhe në Drejtorinë e Arsimit në Prishtinë, jemi takuar – por nuk kemi marrë përgjigje adekuate”, ka shtuar Zejnullahu.
Një tjetër prind, Arta Isufi, ngriti shqetësimin për distancën dhe vështirësitë që kanë prindërit që punojnë.

“Duhet të dal nga puna ose duhet ndonjë familjar që ta marrë fëmijën nga shkolla. Unë e kam nënën pensionere dhe duhet t’i kalojë disa rrugë për të ardh këtu. Në shkollën ‘Asim Vokshi’ e kemi afër dhe nuk e di përse duhet t’i sjellim fëmijët këtu. Atje ka mundur fëmija im të shkojë vetë, por këtu është shumë rrezik”, potencoi ajo.
Ndërsa Njomza Berisha, një tjetër prind, kërkoi që kjo çështje të mos politizohet dhe të trajtohet vetëm si problem i sigurisë së fëmijëve.
“Kjo çështje nuk duhet të politizohet, pasi fëmijët tanë janë mbi politikën. Nuk jemi dalë që të dëmtojmë askënd, andaj ju lutemi shumë që kjo çështje mos të politizohet, pasi është për sigurinë e fëmijëve", deklaroi ajo.
Prindërit paralajmëruan se do të vazhdojnë me protesta nëse kërkesa e tyre për kthimin e fëmijëve në shkollën “Asim Vokshi” nuk merret parasysh nga autoritetet komunale. /Telegrafi/




















































