Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar për situatën e fundit në Theth, duke akuzuar qeverinë për mungesë transparence dhe përfshirje në interesa të dyshimta.

“E para është arroganca e një pushteti në mandatin e katërt, që nuk i intereson asgjë. Nuk i intereson imazhi i Shqipërisë, nuk i intereson jeta e qytetarëve dhe nuk i intereson zbatimi i ligjit. Kjo ndodh sepse nuk e var fatin politik te qytetarët,” u shpreh Zhupa në A2CNN.


Duke iu referuar informacioneve që ajo thotë se posedon, Zhupa deklaroi se “në Theth po luhet me disa investitorë strategjikë, të cilët e duan zonën të boshatisur”.

Sipas saj, këta investitorë janë “me shumë mundësi austriakë”.

“Se cilët janë do t’i shikojmë në ditët në vijim. Asnjë lëvizje e Edi Ramës nuk është lëvizje për interes qytetar, por gjithmonë janë lëvizje që kanë mbrapa një interes klientelist. Mund të jetë lobim ndërkombëtar, mund të jenë para ‘cash’, mund të jenë interesa të lidhura me familjarë të tij, por asnjëherë nuk bën lëvizje për interes të qytetarit,” theksoi Zhupa.

Deklaratat e saj vijnë në një kohë kur zhvillimet në Theth kanë ngjallur debate dhe shqetësim publik lidhur me të ardhmen e zonës dhe menaxhimin e saj.