Zgjedhjet lokale të 12 tetorit pritet të sjellin gara të forta dhe mjaft interesante në disa prej komunave kryesore të Kosovës.

Vëmendja më e madhe do të përqendrohet në komunat Prishtinë, Prizren dhe Mitrovicë, qytete ku rivaliteti politik është më i theksuar dhe ku nuk përjashtohen as befasitë.


Prishtina – kryeqyteti që përcakton shumëçka

Në kryeqytet pritet një garë e ngushtë dhe dinamike. Përparim Rama (LDK) – synon një mandat të dytë si kryetar. Hajrulla Çeku (LVV) – aktualisht Ministër i Kulturës, është kandidati i Vetëvendosjes. Uran Ismaili (PDK) –pritet të rikthehet në garë pas vitit 2021. Besa Shahini (PSD) – ish-zëvendësministre në qeverinë shqiptare dhe aktiviste e shoqërisë civile, hyn për herë të parë në një garë zgjedhore në Kosovë. Bekë Berisha (AAK)  deputet dhe figurë nga niveli qendror politik që synon të sfidojë në nivel lokal.

Prizreni historik – gara pritet të jetë interesante

Kryetari aktual, Shaqir Totaj (PDK) do të kërkojë një mandat të dytë. Përballë tij përfliten disa emra nga partitë tjera. Artan Abrashi ose Arbër Rexhaj nga LVV, të dy të përfolur si kandidatë të mundshëm. Driton Selmanaj (LDK) një tjetër emër që mund të futet në garë. Deri tani nuk ka konfirmime për kandidatë nga AAK, Nisma dhe partitë tjera më të vogla të komuniteteve, as konfirmim zyrtar nga LVV e LDK.

Mitrovica pa Bedri Hamzën në garë

Kryetari aktual Bedri Hamza (PDK) ka konfirmuar se nuk do të kandidojë në këto zgjedhje. Emri më i përfolur si zëvendësues i tij është nënkryetari aktual i komunës, Arian Tahiri (PDK).

Nga Vetëvendosje përmendet si mundësi Armend Muja, deputet në Kuvendin e Kosovës ose Faton Peci, ministër aktual i Bujqësisë nga partia Guxo. Megjithatë, asnjë nga këto emra nuk është zyrtarizuar deri tani nga LVV dhe mund të ketë befasi tjera.

LDK, AAK dhe partitë e tjera ende nuk kanë shpallur kandidaturat e tyre për këtë komunë.

Çfarë pritet?

Garat në këto tri komuna dhe në ato të tjera si Ferizaj, Gjilan, Pejë, Gjakovë e Podujevë do të jenë vendimtare për fuqinë politike të partive në nivel lokal dhe mund të japin sinjale të qarta për zgjedhjet nacionale që mund të pasojnë. Në të gjitha komunat kryetarët aktualë nga të gjitha partitë do të jenë në garë sërish (pos Mitrovicës).

Kush do të fitojë, kush do të humbë dhe kush do të befasojë mbetet të shihet më 12 tetor. Ajo që dihet tashmë është se kandidaturat do të shpallen së shpejti, ndërsa KQZ ka nisur përgatitjet për organizimin e këtyre zgjedhjeve lokale./Telegrafi/