Zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, çfarë ndodhi nga votimi deri te rinumërimi i plotë?

Procesi zgjedhor i 28 dhjetorit 2025 është shoqëruar me zhvillime të shumta dhe vendime të rëndësishme institucionale, të cilat kanë nxjerrë në pah parregullsi serioze në administrimin dhe numërimin e votave në disa komuna të Kosovës.
Menjëherë pas ditës së zgjedhjeve dhe publikimit të rezultateve preliminare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar ankesa dhe raporte të shumta lidhur me parregullsi gjatë numërimit të votave, veçanërisht në nivelin e votave të kandidatëve brenda subjekteve politike
Por, çfarë ndodhi?
Fillimisht, KQZ ka marrë vendim që në 10 komuna të zhvillohet rinumërim i plotë i votave, me qëllim të verifikimit të saktësisë së rezultateve dhe adresimit të dyshimeve të ngritura.
Ky vendim u mor pas identifikimit të mospërputhjeve ndërmjet rezultateve të raportuara dhe materialeve zgjedhore.
Megjithatë, gjatë këtij procesi janë evidentuar raste të dyshimit vjedhjes së votave dhe manipulime brenda subjekteve politike, ku votat dyshohet se janë transferuar nga një kandidat te tjetri.
Si rezultat, KQZ mori një vendim të ri dhe më gjithëpërfshirës, duke urdhëruar që të gjitha 28 komunat e vendit të shkojnë në rinumërim të plotë të votave, në mënyrë që të garantohet transparenca dhe besueshmëria e rezultateve përfundimtare.
Po ashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që anëtarët e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve (KKZ) në komunën e Prizrenit të shkarkohen nga detyra, për shkak të përgjegjësisë së dyshuar në parregullsitë e konstatuara.
KQZ ka paralajmëruar se do të bashkëpunojë ngushtë me organet e drejtësisë për hetimin e plotë të rasteve dhe ndëshkimin e përgjegjësve.
Çfarë thonë njohësit e fushës?
Në lidhje me këtë situatë, analisti politik Mazllum Baraliu vlerëson se ky proces ka nxjerrë në pah defekte serioze në sistemin zgjedhor.

“Procesi paraprak kishte defekte në sistemin e llogaritjes dhe publikimit të rezultateve preliminare, gjë që shkaktoi befasi, pritje dhe pakënaqësi si në opinion, ashtu edhe në partitë politike. Procesi i rinumërimit po nxjerr në pah defekte serioze që janë lejuar të ndodhin, si rasti i Prizrenit, por edhe në komuna të tjera”, ka deklaruar Baraliu.
Sipas tij, vendimi për rinumërim total po e zvarrit shpalljen dhe certifikimin e rezultateve përfundimtare, duke ndikuar drejtpërdrejt në respektimin e afateve kushtetuese.
“Jemi në ngushticë kohore për konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë, zgjedhjen e presidentit dhe miratimin e buxhetit. Prandaj, KQZ duhet të angazhojë kapacitete shtesë, me punë në tri ndërrime, 24 orë, në mënyrë që procesi të mos stërzgjatet”, ka theksuar ai shkruan Telegrafi.
Ndërkohë, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në një deklaratë për Telegrafin e ka cilësuar këtë proces zgjedhor si një proces me “dy fytyra”.

“Së pari, kemi një imazh jashtëzakonisht pozitiv të organizimit dhe administrimit të votimit në ditën e zgjedhjeve, transparencës së KQZ-së dhe shpejtësisë në publikimin e rezultateve preliminare. Në anën tjetër, kemi një nga cenimet më të rënda të procesit zgjedhor pas vitit 2010, me skema manipulimi, në disa raste edhe industriale të votave të kandidatëve”, ka deklaruar Cakolli.
Ai ka theksuar se qytetarët kanë treguar pjekuri të lartë demokratike, ndërsa integriteti i zgjedhjeve është cenuar nga komisionerë të caktuar.
“Kjo situatë dëshmon nevojën e pashmangshme për rishikimin e sistemit të numërimit të votave. Kalimi i numërimit në qendrat komunale ka rritur potencialin për manipulime, pasi mjafton ndërhyrja e një zyrtari për të deformuar tërësisht rezultatin”, ka thënë ai.
Sipas Cakollit, zgjidhja afatgjate duhet të jetë kalimi në numërim digjital, i cili do ta zvogëlonte ndërhyrjen dhe do ta përshpejtonte ndjeshëm procesin.
“Personat që kanë kryer shkelje, manipulime apo keqpërdorime duhet të hetohen dhe të dënohen sa më parë, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten dhe dënimet të kenë efekt parandalues”, ka përfunduar Cakolli.
Ndryshe, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e mërkurë, 21 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar 834 nga 2,557 vendvotime.
Sipas këtyre të dhënave, deri më tani rinumërimi është përmbyllur plotësisht në 7 komuna.
Në platfomën e KQZ-së për rezultate https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/, në hapësirën QNR > Rinumërim, do të paraqiten rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi. /Telegrafi/























































