Kuvendi dështon ta zgjedhë nënkryetarin serb, Basha thërret mbledhjen e Kryesisë për të hënën

- 30/08/2025 14:07-Bajrami: LDK nuk merr pjesë në takimin e së hënës
- 30/08/2025 12:52-Krasniqi: Në historinë e parlamentarizmit nuk ka ndodh që partia që ka fituar zgjedhjet me kthy Kuvendin në Big Brother
- 30/08/2025 12:51-Abdixhiku: Basha konstatoi se është konstituar Kuvendi – rast i paprecedent i interpretimit të gabuar të vendimeve të Kushtetueses
- 30/08/2025 12:25-Dështon zgjedhja e nënkryetarit serb, Basha thërret mbledhjen e kryesisë ditën e hënë
- 30/08/2025 12:16-As Igor Simiqi nuk merr votat e mjaftueshme
- 30/08/2025 12:13-Nenad Rashiq nuk votohet as në herën e tretë për nënkryetar të Kuvendit – largohet nga gara
- 30/08/2025 12:02-Seanca konstituive nis me një minutë heshtje në nderim të veprimtarit Ramadani dhe çështjen e të pagjeturve
- 30/08/2025 11:44-Gashi fajëson LVV: Ka plan bllokimin institucional
- 30/08/2025 11:31-Sveçla: Është detyrë jetike që Lista Serbe të mbetet jashtë Kryesisë
- 30/08/2025 11:13-Balje: Vështirë të vazhdojmë tutje pa një përgjigje nga Kushtetuesja
- 30/08/2025 11:13-Krasniqi thotë se ka refuzuar takimin me Kurtin për të diskutuar për Nenad Rashiqin
- 30/08/2025 11:01-Votimi i nënkryetarit, Haxhiu thotë se pret votë nga AAK ose Nisma: Mund të jetë seanca e fundit
- 30/08/2025 10:57-Lista Serbe e dërgon çështjen e nënkryetarit të Kuvendit në Gjykatë Kushtetuese
Deputetët kanë dështuar sot që ta zgjedhin nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Gjashtë muaj pas zgjedhjeve parlamentare, Kuvendi ende nuk është konstituuar plotësisht. Procesi është zvarritur pasi partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), kishte propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por emri i saj nuk u pranua nga subjektet tjera politike.
Pas disa propozimeve të tjera nga LVV, më 26 gusht kjo parti propozoi Dimal Bashën për kryetar të Kuvendit. Pro kandidaturës së tij votuan edhe deputetë nga PDK dhe AAK. Pas zgjedhjes së tij, Kuvendi zgjodhi edhe nënkryetarët nga partitë më të mëdha politike, Albulena Haxhiun nga LVV, Vlora Çitakun nga PDK dhe Kujtim Shalën nga LDK.
Megjithatë, procesi ngeci sërish në zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb. Lista Serbe propozoi Slavko Simiq për këtë pozitë, por ai nuk mori votat e nevojshme. Votat e nevojshme nuk i mori as Nenaq Rashiq.
Telegrafi do të ju mbajë të informuar për zhvillimet nga Kuvendi.
30/08/2025 14:07-Bajrami: LDK nuk merr pjesë në takimin e së hënës
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e së hënës të ftuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.
Kështu tha deputetja e kësaj partie, Hykmete Bajrami pas dështimit të zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb dhe përmbylljes së seancës konstituive.
Bajrami e ka quajtur shkelje flagrante të Kushtetutës së Kosovës mbylljen e seancës konstituive. “Ishit dëshmitarë të një shkelje flagrante të Kushtetutës, ku kryetari i sapo zgjedhur i Kuvendit të Kosovës mbylli seancën konstituive pa të drejtë sepse rregullorja e thotë qartë që Kuvendi konstituohet dhe seanca konstituive mbyllet vetëm në rastin kur zgjedhet kryetari dhe zgjidhen të gjithë nënkryetarët.
30/08/2025 12:52-Krasniqi: Në historinë e parlamentarizmit nuk ka ndodh që partia që ka fituar zgjedhjet me kthy Kuvendin në Big Brother
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se tashmë është e qartë se Lëvizja Vetëvendosje ka për qëllim ta thellojë krizën, ndonëse sipas tij, deputetët të PDK-së votuan për kryetarin e Kuvendit, me qëllim që të zhbllokohet situata.
Krasniqi tha se asnjëherë në historinë e parlamentarizmit të Kosovës nuk ka ndodh që partia që ka fituar zgjedhjet me e kthy në një Big Brother Kuvendin e Kosovës, me pa se kush po eliminohet e kush s’po eliminohet.
“...Kjo papërgjegjësi mund të sjellë pasojë, që mund të jenë të paparashikueshme... sepse një gjë është e ditur se nuk varet nga vullneti e interpretimi i kryetarit të Kuvendit se a përfundon a nuk përfundon seanca konstituive sepse kjo është e qartë sipas Kushtetutës dhe rregullores së punës... Tani të gjithë po e dimë se këta nuk mërziten as për njërën, e as për tjetrën”, tha ai.
30/08/2025 12:51-Abdixhiku: Basha konstatoi se është konstituar Kuvendi – rast i paprecedent i interpretimit të gabuar të vendimeve të Kushtetueses
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se gjendja e tanishme është shembulli më i mirë se ku të sjell çmenduria e popullizmit.
“ ...Në këtë pikë edhe shihet edhe naiviteti i partive tjera që edhe e mbajnë kuvendin të bllokuar dhe na e lejnë një kryetar të kuvendit, si Dimal Basha, i cili sot po ashtu bëri jo vetëm shkeljen e vazhdueshme të Kushtetuese, por edhe me konstatimin se është konsistuar Kuvendi nuk interpretoi qartë Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha Abdixhiku.
“Rast i paprecedent i interpretimit të gabuar të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe çmenduri e popullizimit”, tha ai.
30/08/2025 12:25-Dështon zgjedhja e nënkryetarit serb, Basha thërret mbledhjen e kryesisë ditën e hënë
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e ka konsideruar të mbyllur seancën konstituive.
Ai tha se moszgjedhja e nënkryetarit serb, nuk mund të bëhet pengesë që të mos konstituohet Kuvendi.
“Konsideroj që moszgjedhja e njërit nga pesë nënkryetarët nuk mund të bëhet pengesë që bllokon konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Si të veprohet tutje me punën tonë, do t’i konsultoj anëtarët e Kryesisë së Kuvendit”.
Ai caktoi mbledhjen e Kryesisë për të hënën në ora 13:00.
30/08/2025 12:16-As Igor Simiqi nuk merr votat e mjaftueshme
As Igor Simiq nuk është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.
Ai ishte i fundit në rundin e votimeve për nënkryetar të komunitetit serb.
30/08/2025 12:13-Nenad Rashiq nuk votohet as në herën e tretë për nënkryetar të Kuvendit – largohet nga gara
Në seancën konstituive po vazhdohet me short per zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.
Nenad Rashiq as në seancën e sotme nuk mori votat e mjaftueshme.
Pro tij votuan vetëm 56 deputetë. /Telegrafi/
30/08/2025 12:02-Seanca konstituive nis me një minutë heshtje në nderim të veprimtarit Ramadani dhe çështjen e të pagjeturve
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha e nisi seancën konstituive me një minutë heshtje në nderim për veprimtarin e njohur të çështjes kombëtare Ilmi Ramadani, i cili vdiq ditë më parë.
Basha po ashtu në këtë seancë e përmendi çështjen e të pagjeturve, me rastin e Ditës ndërkombëtare të personave të zhdukur me dhunë.
“Çështja e të pagjeturve mbetet ndër plagët më të rënda dhe më të dhembshme për vendin dhe shoqërinë tonë”, tha ai.
Basha i bëri thirrje Serbisë që t’i përmbushë zotimet ndërkombëtare duke treguar vendndodhjen e të zhdukurve me dhunë dhe t’i hapë arkivat shtetërore.
30/08/2025 11:44-Gashi fajëson LVV: Ka plan bllokimin institucional
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se vendi është në bllokadë institucionale si pasojë e dëshirës së Lëvizjes Vetëvendosje për ta bllokuar Kuvendin e Kosovës.
Ai para nisjes së seancës konstituive tha se bllokada nuk është kushtetuese, por politike.
“Bllokada në vete nuk është kushtetuese, por është politike dhe qëllimi është politik.. procedura që është ndjekur qëllimi politik me përdorë procedurën për bllokim të Kuvendit është i Lëvizjes Vetëvendosje ata nuk kanë dashur me zgjedh as kryetarin e Kuvendit dhe tash e kanë gjetur dhe kanë dashur me bindje të plotë edhe kanë dashur me bllokua edhe të nënkryetarëve shqiptar procedurën e konstituimit të Kuvendit dhe tash e kanë gjetur një pikë ku mund të krijojnë më shumë simpati popullore duke bllokuar tek pika e Listës Serbe…. Kanë qenë pikërisht deputetët e Vetëvendosjes që kanë insistuar që udhëzimet të kenë fuqi detyruese, dhe tani po e përdorin këtë instrument kundër interesave të Kosovës, instrument që nuk është dashur të ekzistojë në këtë formë”, ka deklaruar Gashi, raporton kp.
30/08/2025 11:31-Sveçla: Është detyrë jetike që Lista Serbe të mbetet jashtë Kryesisë
Deputeti i LVV-së, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se është detyrë jetike që Lista Serbe të mbetet jashtë Kryesisë së Kuvendit.
Sveçla ka shkruar në Facebook, se ky subjekt ka qenë i përfshirë aktivisht në sulmin ndaj Kushtetushmërisë, institucioneve të Republikës, transmeton Telegrafi.
"Meqenëse ky subjekt ka qenë i përfshirë aktivisht në sulmin ndaj Kushtetushmërisë, institucioneve të Republikës, KFOR-it, misioneve të huaja, gazetarëve e qytetarëve, është detyrë jetike që ky subjekt të mbetet jashtë Kryesisë", ka pohuar ai.
30/08/2025 11:13-Balje: Vështirë të vazhdojmë tutje pa një përgjigje nga Kushtetuesja
Deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje tha sot nuk beson se mund të vazhdojnë tutje pa një përgjigje të Kushtetueses.
Balje tha se deputetët e kanë problem të votojnë sepse nuk janë të sigurt nëse çështja e zgjedhjes së nënkryetarit është kushtetues.
“Deri tash kemi votu në pako për komunitetet, hapi që duhet me votu veç e veç është problematike”, tha ajo.
Sipas saj, zvarritja në procesin e konstituimit të Kuvendit mund të jetë edhe e qëllimshme.
“Ndoshta me ble kohë, tash kemi zgjedhje lokale, ka shumë arsye po arseja kryesore është blerja e kohës”, tha ajo. /Telegrafi/
30/08/2025 11:13-Krasniqi thotë se ka refuzuar takimin me Kurtin për të diskutuar për Nenad Rashiqin
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka folur para nisjes së seancës konstituive.
Krasniqi tha se votimi i ndarë për nënkryetarët e Kuvendit, nuk është në përputhje me Kushtetutën, transmeton Telegrafi.
“Qëndrimi ynë ka qenë që çdo veprim duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Një votim i tillë, i ndarë, nuk është në pajtim me Kushtetutën. Ne nuk mund të bëhemi pjesë e lojërave politike, pavarësisht se Rashiq është jashtëzakonisht pozitiv brenda komunitetit serb dhe, në rrethana të tjera, do të ishte një nënkryetar i shkëlqyer”, tha ai.
Ai po ashtu njoftoi se ka refuzuar takimin me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për të diskutuar për çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb.
30/08/2025 11:01-Votimi i nënkryetarit, Haxhiu thotë se pret votë nga AAK ose Nisma: Mund të jetë seanca e fundit
Nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu para nisjes së seancës konstituive tha se sot mund të jetë seanca e fundit, gjersa theksoi se pret votë nga AAK dhe Nisma.
“Sot mund të jetë seanca e fundit sepse nëse sot të gjithë hedhen në short dhe nuk ka tjetër që pret, atëherë nuk ka arsye të mblidhemi pas 48 orëve, sepse për çka do të mblidhemi. Prandaj, është e rëndësishme ta konstituojmë Kuvendin sepse kjo situatë çon në zgjedhje. Ne nuk jemi të interesuar të shkojmë në zgjedhje, mendojmë se duhet të konstituohet Kuvendi i Kosovës, të votohet qeveria, por ja që opozita po e pengon. Është në dorën e opozitës, nëse PDK, LDK refuzojnë ta bëjnë këtë, sepse shumë shpesh kemi thënë se me votimet e tyre janë në linjë me Listën serbe, të paktën presim nga AAK, Nisma”, ka thënë ajo.
30/08/2025 10:57-Lista Serbe e dërgon çështjen e nënkryetarit të Kuvendit në Gjykatë Kushtetuese
Lista Serbe ka njoftuar se ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb.
Në njoftimin e tyre thuhet se presin nga Kushtetuesja të reagojë dhe të marrë masat e nevojshme, transmeton Telegrafi.
“Anëtarët e Listës Serbe dorëzuan sot një ankesë në Gjykatën Kushtetuese për shkeljen e rëndë të të drejtave të popullit serb në seancat e kuvendit në Prishtinë. Parimet kushtetuese dhe demokratike janë shkelur rëndë, dhe populli serb nuk është në gjendje t’i ushtrojë të drejtat e garantuara. Ne presim që Gjykata Kushtetuese të reagojë urgjentisht dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sundimin e ligjit, si dhe të drejtat e popullit serb në përputhje me aktet ligjore në fuqi”, thuhet në njoftimin e tyre.




























