Me ligjin e ri, shteti dërgon një mesazh të qartë se shëndeti publik, veçanërisht shëndeti i të rinjve dhe joduhanpirësve është prioritet, thotë në një deklaratë për AIM, pulmologu-alergolog, mjeku specialist primarius Oliver Zafirovski, drejtor i Institutit Publik Shëndetësor Klinika universitare për pulmologji dhe alergologji në Shkup.

“Sipas analizave të kryera dhe të dhënave relevante për situatën me përdorimin e produkteve të duhanit në vend, vlerësohet se rreth gjysma e popullsisë në Maqedoninë e Veriut është e varur nga cigaret, me një konsum mesatar ditor prej 18 deri në 22 cigare për person”, ka thënë mjeku.


Ai tha se të dhënat në mesin e popullsisë së re janë shqetësuese.

“Analizat tregojnë se rreth 7,7 për qind e fëmijëve të moshës 13 deri në 14 vjeç janë duhanpirës aktivë, ndërsa në mesin e të rinjve të moshës 15 deri në 16 vjeç, kjo përqindje arrin afërsisht 37 për qind. Përveç kësaj, përdorimi i cigareve elektronike identifikohet si një fenomen masiv dhe gjithnjë e më i përhapur në mesin e të rinjve që paraqet një rrezik serioz për shëndetin publik dhe një sfidë shtesë për politikat preventive”, paralajmëron Zafirovski.

Dr. Zafirovski shton se tek njerëzit me SOMB, astmë dhe sëmundje të tjera kronike, nikotina dhe duhani përkeqësojnë drejtpërdrejt shëndetin e tyre.

“Ato rrisin rrezikun e komplikimeve të rënda dhe janë të lidhura fort me zhvillimin e sëmundjeve malinje”, theksoi Zafirovski.
Në të njëjtën kohë, ai sqaroi se cigaret elektronike shpesh perceptohen si një alternativë më e sigurt ndaj cigareve klasike.
“Megjithatë, provat shkencore tregojnë se ato nuk janë të padëmshme. Edhe pse nuk prodhojnë tym si duhani, ato krijojnë një aerosol që përmban nikotinë, metale të rënda dhe substanca të tjera kimike që kanë një ndikim negativ mbi shëndetin”, alarmon drejtori i Klinikës për pulmologji dhe alergologji.

Duke iu referuar ndikimit në shëndet, ai theksoi se nikotina është një substancë që shkakton varësi të lartë.

“Tek të rinjtë, përdorimi i saj mund të ndikojë në zhvillimin e trurit, përqendrimin dhe shëndetin mendor. Përveç kësaj, ka prova për një rrezik në rritje të problemeve të frymëmarrjes dhe kardiovaskulare tek përdoruesit e cigareve elektronike”, thekson ai.
Një rrezik i veçantë për të rinjtë, siç tha mjeku, janë cigaret elektronike.

“Cigaret elektronike me aromë janë veçanërisht tërheqëse për fëmijët dhe adoleshentët. Ato krijojnë një imazh të rremë se janë një produkt i padëmshëm, por në fakt shpesh përfaqësojnë hapin e parë drejt varësisë nga nikotina dhe përdorimit të mëvonshëm të cigareve klasike”, nënvizoi Zafirovski.

Duke folur për rëndësinë e ligjit të ri, pulmologu-alergolog theksoi se përfshirja e cigareve elektronike në rregullore është një hap në përputhje me rekomandimet evropiane dhe njohuritë shkencore moderne.

Si ekspert, ai rikujtoi rëndësinë e madhe të mbrojtjes së shëndetit publik.

“Ndalimi i përdorimit të cigareve elektronike në hapësirat publike të mbyllura nuk drejtohet kundër individëve, por është një masë për të mbrojtur të gjithë qytetarët nga ekspozimi pasiv dhe normalizimi i pirjes së duhanit”, nënvizoi mjeku.