Younes Ebnoutalib, rrugëtimi nga liga e katërt në Ligën e Kampionëve në vetëm 18 muaj

Eintracht Frankfurt ka bërë një goditje të madhe në afatin kalimtar duke nënshkruar me sulmuesin 22-vjeçar Younes Ebnoutalib nga Elversberg për 8 milionë euro.
Historia e tij është një tregim frymëzues mbi vendosmërinë, durimin dhe pasionin për futbollin, duke e çuar nga ligat e ulëta gjermane deri në një klub të Ligës së Kampionëve brenda vetëm një viti e gjysmë.
Dëmtimi te Perugia
Vetëm një vit më parë, Ebnoutalib ishte një lojtar relativisht i panjohur. Ai kishte kaluar një periudhë të vështirë në Perugia, ku një lëndim serioz dhe kushtet e vështira të jetesës e detyruan të kthehej i demoralizuar në Gjermani.
Por ai nuk u dorëzua. Duke u rikthyer në Gießen, më pas në Elversberg, ku tregoi talentin e tij duke shënuar rregullisht dhe duke fituar besimin e klubit që e bleu për një shumë të konsiderueshme për nivelin e tij.

Debutimi me gol dhe familje sportistësh
Në debutimin me Eintracht Frankfurt kundër Borussia Dortmund, Ebnoutalib tregoi menjëherë potencialin e tij si qendërsulmues modern: shpejtësi, forcë në ajër dhe aftësi për të gjetur hapësirat në zonën e penalltisë. Ai shënoi golin e parë për ekipin e tij, duke treguar instinkt të shkëlqyer sulmues dhe përqendrim në situata të tensionuara.
Rruga e tij nuk ka qenë e lehtë, por mbështetja e familjes ka qenë e vazhdueshme. Babai i tij, Faisal Ebnoutalib, është kampion olimpik në taekwondo dhe Younes ka trashëguar disiplinën sportive dhe pasionin për aktivitetin fizik, duke fituar një bel të zi në të njëjtin sport.
Megjithatë, futbolli ka qenë gjithmonë pasioni i tij kryesor, dhe ëndrra për të luajtur për Eintracht Frankfurt i ka dhënë motivim të jashtëzakonshëm.

Në klubin që e ëndërronte
Në vitet e tij të para, Younes luajti për klube lokale të Frankfurtit si Heddernheim, Kalbach dhe Rot-Weiss, por nuk u pranua në akademinë e Eintracht. Mungesa e mundësive dhe konkurrenca e lartë e detyruan të kërkonte rrugë alternative, përfshirë një përvojë të shkurtër në Serie C italiane, që përfundoi me një lëndim dhe sfida të mëdha psikologjike.
Pavarësisht pengesave, sulmuesi arriti të ringrihej dhe të tregonte vlerën e tij. Sezonin e fundit me Elversberg, Ebnoutalib shënoi 12 gola në 17 ndeshje, duke u bërë një nga lojtarët më të kërkuar në Bundesliga 2.
Suksesi i tij nuk ka të bëjë vetëm me golat, por edhe me përkushtimin dhe profesionalizmin që ai ka treguar në çdo hap të karrierës.

Historia e Younes Ebnoutalib është një shembull frymëzues për të gjithë të rinjtë që përballen me vështirësi: me punë, përkushtim dhe durim, ëndrrat mund të realizohen, madje edhe kur duket se gjithçka është kundër teje. /Telegrafi/





















































