Ylli i Interit refuzon Fenerbahcen, preferon kalimin te rivali Juventus

Davide Frattesi duket i vendosur për të ardhmen e tij, teksa sipas “Tuttosport”, mesfushori i Interit ka refuzuar një ofertë nga klubi turk Fenerbahçe, pasi synon një transferim te Juventusi gjatë afatit kalimtar të janarit.
Raporti thekson se 26-vjeçari shpreson të largohet nga “Nerazzurrët” këtë muaj, për shkak të hapësirave të kufizuara që po gjen nën drejtimin e trajnerit Cristian Chivu.
Frattesi dëshiron të rilançojë karrierën e tij dhe e sheh Juventusin si destinacionin ideal, veçanërisht duke pasur parasysh se jemi në një vit Botërori.

Mesfushori italian ishte golashënuesi më i mirë i Italisë gjatë epokës së Luciano Spallettit dhe beson se një rol më i rëndësishëm te “Bianconerët” do ta ndihmonte të rikthehej në nivelin më të lartë.
Megjithatë, transferimi nuk pritet të jetë i lehtë. Interi ka vendosur një çmim mbi 30 milionë euro për kartonin e lojtarit, çka do të thotë se Juventusi do të duhet të negociojë për të ulur shifrën nëse dëshiron ta transferojë Frattesin këtë muaj.
Ndërkohë, trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, ka mbajtur një qëndrim të kujdesshëm sa i përket merkatos së dimrit. Në një konferencë për shtyp të mbajtur të premten, ai deklaroi se nuk ka kërkuar afrimin e lojtarëve të rinj gjatë këtij afati kalimtar./Telegrafi



































