Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka bërë të ditur se ka nisur procesi i vlerësimit të dëmeve në terren, pas takimit dhe konsultimeve me Komisionin Qeveritar.

Ai ka njoftuar se sot ka mbledhur Komisionin Komunal për Vlerësimin e Dëmeve, me qëllim të fillimit zyrtar të punës në terren.


“Pas takimit dhe konsultimit të djeshëm me Komisionin Qeveritar, sot mblodha Komisionin Komunal për Vlerësimin e Dëmeve, për të filluar në terren”, ka deklaruar Xheladini.

Sipas tij, gjatë mbledhjes janë përcaktuar detyrat konkrete për secilin anëtar të komisionit, si dhe është bërë shpërndarja e dokumentacionit dhe aplikacioneve të nevojshme për procesin e vlerësimit.

“Gjatë mbledhjes u caktuan detyrat konkrete për secilin anëtar të Komisionit, si dhe u bë shpërndarja e dokumentacionit përkatës dhe aplikacioneve të nevojshme, me qëllim që procesi i vlerësimit të zhvillohet në mënyrë efikase, transparente dhe në përputhje me procedurat ligjore”, ka theksuar ai.

Nga Komuna e Dragashit bëhet e ditur se procesi i vlerësimit të dëmeve do të realizohet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e përcaktuara nga institucionet përgjegjëse. /Telegrafi/