Xheladini emëron Arijeta Qafleshi Skerajn dhe Veton Halilin pjesë të kabinetit të tij

Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka bërë sot dy emërime të rëndësishme në strukturat udhëheqëse të komunës.
Arijeta Qafleshi Skeraj është emëruar shefe e Kabinetit të Kryetarit, pas tërheqjes së saj nga pozita e asambleistes së Kuvendit të Komunës.
Në zgjedhjet e fundit lokale, Qafleshi Skeraj është zgjedhur për herë të pestë si asambleiste, ndërsa gjatë legjislaturës së kaluar ka shërbyer si Kryesuese e Kuvendit, duke shënuar një performancë të lartë në funksionimin e organit më të lartë vendimmarrës të komunës. Kryetari Xheladini e ka uruar për detyrën e re, duke i dëshiruar suksese të metejshme në profesion dhe karrierë.
Gjithashtu, kryetari Xheladini ka emëruar Veton Halilin drejtor të Administratës Komunale.
Gjatë mandatit të kaluar, Halili ka shërbyer si shef i Kabinetit të Kryetarit, duke ushtruar këtë detyrë me përkushtim dhe përgjegjësi të lartë.
Kryetari Xheladini ka uruar Halilin për pozitën e re, duke shprehur besimin se me përvojën dhe profesionalizmin e tij, ai do të kontribuojë në forcimin e administratës komunale dhe efikasitetin e shërbimeve për qytetarët e Dragashit. /Telegrafi/

















































