Nga: Janan Ganesh / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Ai ndoshta e meriton të quhet gazetari më i suksesshëm i të gjitha kohërave. Përmes shkrimeve dhe paraqitjeve në ekran, William F. Buckley ngriti një lëvizje të djathtë në Amerikë e cila, realisht, nuk është shuar kurrë. Vija lidhëse fillon nga God and Man at Yale, traktati që ai shkroi në moshën 25-vjeçare kundër pedagogëve të tij liberalë, deri te sulmi i Donald Trumpit ndaj universiteteve - shumë dekada më vonë. Duke e forcuar substancën e konservatorizmit, Buckley e zbuti atë në stil - duke e kthyer në një lloj argëtimi, përballë të cilit liberalët dukeshin sikur silleshin vërdallë. (Një kthesë e madhe, po të kemi parasysh kohën kur Nixon dhe Kennedy përfaqësonin tiparet klasike të dy kampeve.) Mbi një mijë faqe ia ka kushtuar atij biografi i tij, Sam Tanenhaus - pak si shumë, por jo tepër shumë.


Por, kam një vërejtje. Libri flet për “Revolucionin që ndryshoi Amerikën”. Ndryshoi?

Për shkak të suksesit të saj elektoral, një e vërtetë mbetet e pathënë për të djathtën amerikane. Ajo ka humbur pothuajse në çdo front ku ka luftuar. Martesa mes të njëjtës gjini është tashmë e ligjshme dhe ka mbështetje të madhe publike. Shteti i mirëqenies është rritur nga rreth pesë për qind e PBB-së në kohën kur Buckley themeloi [revistën] National Review, në rreth 20 për qind sot. Pjesa e popullsisë e lindur jashtë vendit është rritur që nga vitet ’70 të shekullit XX. Anëtarësimi në kishë ka rënë që nga ajo kohë. Pornografia është përhapur, ndërsa norma e lindshmërisë ka rënë. Obamacare gëzon një mbështetje publike afër dy me një. “Kina e kuqe” u njoh zyrtarisht (zhgënjimi i thellë të Buckleyt) dhe tani është rivale e ShBA-së.

Në më shumë se 60 vjet, “revolucioni” ka korrur fitore në çështjet e abortit dhe kundër diskriminimit - dhe këto vetëm së fundmi. Pjesa tjetër është e dyshimtë. Disa norma minimale tatimore ranë, por rezultati ishte më shumë borxh jo më pak shtet. Rënia e kriminalitetit është e vështirë të lidhet drejtpërdrejt me një shkak të caktuar. Çfarë tjetër? Buckley do të ishte i kënaqur me përqafimin e katolicizmit nga e djathta, por kjo është një çështje e brendshme për konservatorët. Dhe, kaq për këtë. “Lëvizja” përmendet me një farë madhështie - edhe nga kundërshtarët e saj - që nuk përputhet me ndikimin konkret që ka pasur në Amerikë.

Ndoshta gjërat do të kishin qenë më keq (ose më mirë, sipas shijes së secilit) pa të. Por, në atë rast, mos e quani revolucion. Në rastin më të mirë, është një element pengues në aeroplanin që fluturon drejt ndryshimeve sociale. Gjithashtu, sa më shumë humbje mund të ishin? Tanenhaus shmang me zgjuarsi pyetjen se çfarë do të kishte menduar Buckley për Trumpin, por fakti që konservatorët përqafojnë dikë kaq të çrregullt dhe pa bosht filozofik është vetvetiu një shenjë e liberalizimit kulturor. Se konservatorët ende ankohen për universitetet - shpesh me të drejtë - flet më shumë për dobësinë e tyre. Unë e mbaj një qëndrim ndryshe dhe mendoj se Buckley fitoi debatet e vitit 1968 me [shkrimtarin demokrat] Gore Vidalin, i cili përdorte humorin si mjet për të shmangur përgjigjen. Por, është e qartë se cili nga të dy do të ndjehej më rehat në vitet 2020.

E them gjithë këtë si dikush që do të kishte dashur që e djathta të fitonte një apo dy beteja më shumë. Do të ishte mrekulli të vizitoje një muze pa u përballur me broçkulla tendencioze për “strukturat e pushtetit”. Nivelet e borxhit publik tregojnë se kërkesat e njerëzve ndaj shtetit të mirëqenies janë të paqëndrueshme. Por, nëse gjithë kjo është e vërtetë, pas gjysmë shekulli apo më shumë të “zgjimit konservator”, çfarë do të thotë kjo? Që fitorja në zgjedhje dhe marrja e pushtetit janë të mbivlerësuara. Që edhe kontrolli i mediave nuk e ndryshon shumë drejtimin e një shoqërie, e cila ka një logjikë dhe vrull të brendshëm.

Në fund të fundit, a ishte jeta e Buckleyt një jetë e dështuar? Vetëm nëse marrim si të mirëqenë që “ndryshimi” është ajo që dëshiron e djathta. Nuk jam më i sigurt që është kështu. Një grup njerëzish shpesh gjejnë solidaritetin pikërisht në humbje ose tërheqje. Mendoni për vendin që zë Dankirku në imagjinatën britanike. Ose Marshi i Gjatë në Kinën komuniste. Alamo frymëzoi humbësit. Kam njohur mjaft konservatorë të lëvizjes për të dyshuar se fitorja ndaj “zgjimit” [woke] do t’i përmbushte ndonjëherë ata aq shumë sa lufta kundër tij. Nëse do të fitonin plotësisht, në një epokë të atomizuar, ku do ta gjenin më pas atë ndjenjë përkatësie dhe qëllimi të përbashkët? Lëvizja është qëllimi, jo mjeti - dhe ata ia kanë këtë borxh një njeriu. /Telegrafi/