Njësiti i hetimeve të përgjithshme që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar për veprën vrasje që ka ndodhë mbrëmë në Hajvali.


Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook, Policia njofton se personi i  dyshuar XHEMAIL (BAJRAM) NUHIU ndodhet në arrati, andaj për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e vendodhjes së tij, na kontaktoni direkt në: E-mail: info@kosovopolice.com, Android #app: Lajmero Policine, Tel: 192.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se me datë 11.08.2025, rreth orës 22:00, një ngjarje tragjike ka ndodhur ne lagjen Hajvali të Prishtinës, ku një person M.M., është qëlluar me armë zjarri.

Sipas një njoftimi për media viktima u dërgua menjëherë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku mjekët e konstatuan vdekjen e tij pa shenja jete.

Tutje në njoftim thuhet se menjëherë pas marrjes se informatës, njësitet relevante te Policisë se Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorin e shtetit, kanë dalë në vendngjarje dhe kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

“Si rezultat i veprimeve të deritanishme hetimore, është identifikuar autori i dyshuar, Xhemajl Nuhiu, i cili aktualisht është në arrati dhe po kërkohet nga organet e rendit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/