Vonesat e punimeve në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, mllefosin qytetarët

Tash e disa vite në çdo sezonë verore në rrugën Prishtinë-Mitrovicë shkaktohen kolona të gjata të automjeteve.
Ardhja e bashkatdhetarëve bënë që numri i veturave të rritet dhe kolonat shkaktohen në pjesën e ngushtimit të rrugës nga katër korsi në dy korsi, në segmentin e ri Lum Madh-Gojbule, të rrugës nacionale M2 Prishtinë-Mitrovicë, “Rruga e Tre Heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha”.
Më 22 mars të këtij viti kanë filluar punimet në këtë segment, mirëpo nga këto punime qytetarët e asaj ane janë të zhgënjyer.
Fatmir Peci, banor i asaj ane ka thanë se ka ndodhur që kanë pritur deri në një orë e gjysmë për të shkuar në Vushtrri.
Ndërsa Agim Pllana, i cili kishte ardhur nga Norvegjia ka thënë se është problem kur në sezonen e verës vijnë për të pushuar në qytetin e tyre të lindjes.
Në anën tjetër, sipas Gëzim Imerit, premtimet për rregullimin e kësaj rruge janë bërë qe katër vite.
Po ashtu edhe mërgimtari Gazmend Hoti ka thënë se më shumë u shkon koha në kolonë se në vende tjera.























































