Vodhi para nga arka e bamirësisë në një xhami në Ferizaj, arrestohet nga policia

Njësia e Hetimeve e stacionit policor në Ferizaj ka identifikuar dhe arrestuar një person të dyshuar për vjedhje të rëndë.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, i dyshuari F.A., 29 vjeç, dyshohet se më 9 dhjetor 2025, rreth orës 18:30, ka depërtuar me forcë në objektin fetar “Xhamia e Vogël”, ku ka vjedhur një shumë parash nga arka e bamirësisë.
Gjatë arrestimit, policia ka sekuestruar dy palë atlete që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit dhe me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.
Policia Rajonale e Ferizajt thekson përkushtimin e saj për parandalimin dhe luftimin e veprave penale, si dhe garantimin e sigurisë për qytetarët dhe institucionet fetare.


















































