"Dielli i shpresës për të rinjtë tanë po shkëlqen më fort se kurrë. Me Planin Operacional të Punësimit për vitin 2025, nga një total prej rreth 13,000 personash të planifikuar për përfshirje, 8,576 ose 70.9% janë të rinj nën moshën 29 vjeç. Ky është një tregues i qartë i vendosmërisë së brezit të ri për të gjetur vendin e tyre në tregun e punës dhe për të ndërtuar të ardhmen me duart e tyre", thonë nga koalicioni VLEN.

"Në masën më tërheqëse të punësimit, Vetëpunësimin për të mbështetur sipërmarrjen, përkatësisht hapjen e një biznesi personal, nga një total prej 2,755 biznesesh të reja të planifikuara, 1,896 u hapën nga të rinj nën moshën 29 vjeç. Ky është një sukses i madh që vërteton se energjia, kreativiteti dhe guximi i të rinjve janë nxitësit e zhvillimit ekonomik. Këto fakte janë më shumë sesa statistika: ato janë shpresë e gjallë, ato janë provë e këmbënguljes së të rinjve tanë, të cilët nuk dorëzohen përballë sfidave, por i transformojnë ato në mundësi. VLEN riafirmon se mbështetja e të rinjve është një përparësi e pandalshme. Ne do të vazhdojmë të jemi pranë tyre, duke u dhënë atyre diellin e shpresës, forcën e këmbënguljes dhe besimin se e ardhmja ndërtohet me punë të ndershme dhe një vizion të qartë", njoftoi VLEN.