Vjedhje në një xhami në Ferizaj, dëmtohen edhe kamerat e sigurisë

Një rast vjedhjeje është raportuar të dielën rreth orës 13:00 në xhaminë e fshatit Mirash në Ferizaj.
Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur se persona të panjohur kanë depërtuar brenda objektit fetar, ku kanë vjedhur arkën e bamirësisë.
Sipas tij, ende nuk dihet shuma e parave që ndodhej në arkë në momentin e vjedhjes.
Përveç kësaj, të dyshuarit kanë dëmtuar edhe kamerat e sigurisë së objektit.
“Sipas imamit, vlera e dëmit është rreth 50 euro për arkën, ndërsa dëmtimi i kamerave së bashku me pajisjet përcjellëse kap vlerën rreth 120 euro,” ka deklaruar Veseli.
Ai ka shtuar se, në koordinim me prokurorin e shtetit, rasti është iniciuar si “vjedhje e rëndë”.
Rasti është duke u hetuar nga njësia e hetimeve rajonale e Policisë së Kosovës.



















































