LAJMI I FUNDIT:

Viti 2020 konsiderohet i dështuar për sistemin e drejtësisë

Viti 2020 konsiderohet i dështuar për sistemin e drejtësisë

I dështuar po konsiderohet viti 2020 për sistemin e drejtësisë në Kosovë. Përgjatë 12 muajve vetëm një aktakuzë është ngritur nga Prokuroria Speciale e që përfshin zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë politikë për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërsa, nuk ka pasur as edhe një aktgjykim të formës së prerë për rastet e korrupsionit të nivelit të lartë apo konfiskimit të pasurisë së fituar përmes korrupsionit.

Organizatat që merren me monitorimin e punës së sistemit të drejtësisë, konsiderojnë se viti 2020 për institucionet e drejtësisë shënon vetëm regres. Në rënie të efikasitetit të punës së gjykatave dhe të prokurorive sipas tyre ndikim pati edhe pandemia COVID-19, ku këto institucione shumicën e kohës kanë punuar vetëm për rastet emergjente e me staf të reduktuar.


Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë për KosovaPress se në aspektin e luftimit të krimit të organizuar, luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe konfiskimit të pasurisë viti 2020 mund të quhet i dështuar.

Ai thotë se pandemia COVID-19 ka ndikuar në efikasitetin e punës në institucionet e drejtësisë, megjithatë thotë se në raste të caktuara pandemia është shfrytëzuar për të ofruar amnisti për raste të caktuara.

“Në pikat kritike ku Kosova është kërkuar nga Bashkimi Evropian, nga partnerët ndërkombëtarë që të ketë një ndryshim rrënjësor në mënyrë që të avancojmë në integrimet evropiane apo në raport me liberalizimin e vizave siç është luftimi i krimit të organizuar, luftimi i korrupsionit të nivelit të lartë, konfiskimi i pasurisë pothuajse mund të themi lirisht që ka qenë një vit i dështuar. Një vit i cili më shumë ka pasur regrese nuk mund të flitet fare për ndonjë progres. Në këtë drejtim unë besoj që viti 2020 ka qenë një vit vetënumëro, i cili nuk ka arritur që shteti, institucionet e drejtësisë në një farë mënyre ta kthejnë besimin e qytetarëve në punën e tyre, të bëjnë ndonjë ndryshim i cili do të kishte ndikim pozitiv për të ardhmen e Kosovës”, thotë ai.

Se nuk ka pasur progres në sistemin e drejtësisë gjatë vitit të kaluar e thotë edhe Rreze Hoxha, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Në rënien e efikasitetit të punës së institucioneve të drejtësisë, ajo thotë se ka ndikuar edhe pandemia COVID-19.

“Edhe gjatë vitit 2020 nuk mund të themi që sistemi gjyqësor i Kosovës ka pasur një performancë të kënaqshme. Këtu sigurisht duhet cekur që pandemia COVID-19 ka pasur ndikimin e saj në uljen e efikasitetit dhe sigurisht pastaj edhe në rritjen e numrit të rasteve aktive nëpër gjykata, gjë që rrjedhimisht edhe ka ndikuar në performancën e tërë sistemit. Mirëpo, si vlerësim i tërësishëm i punës së sistemit gjyqësor mund të themi që ne ende mbetemi në pikën ku kemi qenë. Nëse flasim për luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit ne ende nuk kemi vendime përfundimtare me të cilat dënohen figura të larta politike të cilët do të thotë janë të akuzuar ose dyshohet të jenë pjesë e aferave korruptive. Njëkohësisht ende përballemi me aktakuza të dobëta, të cilat prokurorët nuk arrijnë t’i përfaqësojnë denjësisht edhe në gjykatë gjë që pastaj rezulton edhe në vendime liruese ose vendime me cilat nuk krenohemi që kanë marr”, thotë Hoxha.

Edhe Genc Nimoni nga organizata Çohu, thotë se viti 2020 ka qenë regresiv, e në veçanti në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Rreth efikasitetit të punës së gjykatave ai thotë se kanë bërë një hulumtim për gjashtë mujorin e parë të vitit, ku thotë se janë 25 përqind më pak raste të zgjidhura krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019.

“Përgjithësisht viti 2020 ka qenë një vit regresiv në gjyqësi, në veçanti në luftim të korrupsionit dhe të krimi të organizuar. Nëse marrim dhe i shikojmë edhe statistikat të cilat i kemi publikuar në një raport të fundit në muajin nëntor, atëherë shohim se kemi më pak raste të zgjidhura dhe ka më shumë probleme në sistem të drejtësisë. Këtë e konstatojnë jo vetëm raportet tona, po gjithashtu edhe raportet ndërkombëtare në veçanti raporti i shtetit amerikan, pastaj raporti i progresit dhe raporte të tjera që janë kredibile. Nëse marrim dhe shikojmë këto statistika, atëherë shohim se nëse e krahasojmë sipas viteve kemi diku 25 për qind raste më pak të zgjidhura në vitin 2020, kjo është për 6 mujorin e parë, nëse e krahasojmë me vitet paraprake. Derisa në vitin 2019 kemi diku rreth 212 raste të korrupsionit të zgjidhura, tani në 6 mujorin e vitit 2020 kemi vetëm 52. Do të thotë kjo tregon për një rënie të numrit të rasteve të zgjidhura të korrupsionit, nëse e shikojmë edhe përmbajtjen atëherë llojin e dënimeve atëherë kjo edhe më shumë lë për të dëshiruar”, thotë ai.

Viti që lamë pas është karakterizuar edhe me reagime të ambasadave të shteteve të QUINT-it dhe të Zyrës së Bashkimit Evropian ndaj qeverisë së Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës për politizimin e sistemit të drejtësisë.

Lidhur me këtë, drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, potencon se gjatë këtij viti qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti ka marr një nga veprimet, që ai e quan më skandaloze, për shuarjen e Tast-Forcës kundër korrupsion.

“Në aspektin politik fatkeqësisht Kosova në vitin 2020 e ka humbur ndoshta edhe atë që së paku qeveritë e mëhershme kanë pasur vullnetin politik që përmes disa veprimeve së paku të përçojnë besimin se kanë interes në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Viti 2020 ka qenë e kundërta, qeveria ka marr vendime konkrete dhe veprime konkrete të cilat kanë ndikuar edhe më tutje në sy të opinionit publik, qytetarëve, partnerëve ndërkombëtarë që shteti të kapet në pozitat kryesore. Pastaj, besoj që viti 2020 ka qenë vit ku qeveria Hoti ka marr një ndër vendimet më skandaloze që ka të bëjë me shpërbërjen e Task Forcës kundër korrupsion. Kur kësaj i shtohet fakti që kjo task forcë ishte shpërbërë me një vendim të qeverisë pa asnjë analizë paraprake, pa asnjë analizë përmbajtjesore, pa konsultim me shoqërinë civile, pa konsultim me partnerët ndërkombëtarë”, thotë ai.

Vitin 2020 për institucionet e sundimit të ligji e quan sfidues edhe ministri në detyrë i Drejtësisë Selim Selimi, i cili thotë se përkundër sfidave kanë vazhduar punën.

“Po kemi pasur një situatë krize, një situatë të jashtëzakonshme, do të thotë gjykatat nuk kanë mundur t’i mbajnë seancat, prokuroria ka qenë e limituar në punët e tyre. Por, ne nuk jemi ndal, do të thotë kemi testuar për herë të parë gjykimet elektronike dhe kanë dal të suksesshme, ka ndodhur në Gjakovë, në Prizren, në Prishtinë, kanë dal të suksesshme. Prandaj, e kemi pa që mundemi me e shfrytëzua një sistem të tillë edhe në të ardhmen, gjë që do ta rriste efikasitetin e gjykatave. Kemi pasur disa tejzgjatje në disa procese, por fatmirësisht asnjë prej proceseve gjyqësore nuk është rrezikuar aq sa të bëhet ndonjë padrejtësi për njërën nga palët. Kështu që, edhe përtej krizës dhe gjendjes së jashtëzakonshme kemi pasur seanca, kemi pasur aktakuza dhe prokuroria ka punuar, jo normalisht siç duhet të punojnë, por do të thotë kemi gjetur mënyra se si të rritet ky efikasitet”, thotë ai.

Në trend Lajme

Më shumë
Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Lajme
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Kronika e Zezë
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Kalo në kategori