LAJMI I FUNDIT:

Vërtetë vodhi tuba Qetsori?

Të gjithë e njohim atë nëpërmjet shout televiziv. Ai pa dyshim për shumëkënd është një nga personazhet më interesantë të këtij shou gjer më sot, duke u bërë i njohur për një kohë shumë të shpejtë ose person publik siç quhet ndryshe. Por të qenit person publik ka të mirat dhe të këqijat e veta njëherësh, ndërkohë që ai me këmbëngulje theksoi se e gjitha kishte qenë një lojë dhe se duhej t’i kthehej jetës së mëparshme. Nuk ndodhi kështu sepse menjëherë atij i erdhi një ofertë nga Partia Demokristiane për kandidat në zonën e tij, gjë kjo që u bë shkak që të ndryshojnë qëndrimet ndaj personit më të përfolur gjer më atë ditë si rezultat i të bërit palë me një parti me profil jo aq popullor në jug.

Pak kohë më vonë ai u përfshi në protestën modeste, por me shumë jehonë të dukatasve për pronat e tyre. Përfshirja e një figure si Qetsori përbënte mbështetje për protestuesit si dhe solli jehonë televizive. Protesta zgjati disa ditë, pati bllokime rrugësh madje përleshje me forcat e rendit që u munduan ti shpërndanin protestuesit dhe të zhbllokonin rrugën. Ndër protestuesit më të zellshëm gjendej edhe Qetsori ku thuhet se ai vete ka goditur policë, madje-madje një shef policie. Atëherë nuk e arrestuan, sepse imazhi i freskët publik mund të sillte shndërrimin e tij në hero dhe përshkallëzim të protestës gjë kjo aspak në interes të forcave të rendit.


Kthehemi te ngjarja më e fundit, te ajo e vjedhjes së tubave, në fakt ai nuk ka vjedhur tuba, megjithëse sot tërë Shqipëria dhe jo vetëm, e di Qetsorin si hajdut.

Ai administron një pikë grumbullimi hekurishtesh, një pikë blerje më saktë, pra hekurat që i sjellin të tjerët ky i fundit i grumbullon kundrejt pagesës për ti shitur diku tjetër, -plus që duhet sqaruar se, tubat për të cilët bëhet fjalë janë tuba disavjeçarë në fushat e Orikumit të mbetur dhe të ndryshkur, kuptohet se ai merret me blerjen e hekurave në rastin konkret të tubave, dhe nuk merr në pyetje njerëzit qe i sjellin se ku i kanë marrë ato.

Po çfarë lidhje ka e gjithë kjo histori? Policia zuri inat të fortë me Qetsorin që prej protestës së Dukatit, pasoja e të cilit ishte edhe kjo përbaltje. Ata u hakmorën ndaj Qetsorit për grushtet e para shumë kohëve, shkurt vonuan po nuk harruan. E mbajtën në burg për aq sa u duhej që lajmi të bëhej publik dhe pastaj e nxorën.

Këtu na shfaqet edhe një problem tjetër krahas shoqërimit në polici në mënyrë arbitrare dhe hakmarrëse, është ai i informimit në mënyrë të gabuar thjesht dhe vetëm për interesa tirazhi apo klikimi, pra një lojë me tre personazhe nga ku dalin dy të fituar dhe një i humbur,- policia, media dhe Qetsori.

Ai sot është në liri të plotë fizike, por aspak në liri morale pasi të gjithë mendojnë se ai është një hajdut tubash. A duhet të përgjigjet dikush për këtë?