Pas reshjeve të ditëve të fundit vendi është duke u përballur me vërshime, ku në disa regjione qarkullimi është vështirësuar, bodrumet e shtëpive janë mbushur me ujë dhe janë evakuuar familjet.
Në komunën e Drenasit vërshimet kanë shkaktuar dëme të mëdha, ndërsa deri tani janë evakuuar gjashtë familje.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, menjëherë pas formimit të Qendrës Operative Emergjente u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë bashkëpunues dhe të kenë mirëkuptim për të tejkaluar këtë gjendje të krijuar nga vërshimet.
“Deri më tani janë evakuuar 6 familje dhe janë vendosur në hotelet e qytetit, ndërsa ekipet emergjente, FSK-ja, Policia dhe akterë të tjerë, që nga orët e hershme të mëngjesit janë në terren për t’i ndihmuar qytetarët. Dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha në ekonomi familjare, biznese e kultura bujqësore”, thuhet në njoftim.
Pas reshjeve të mëdha të shiut e borës, edhe Gjilani po përballet me vërshime në disa pjesë.
Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se ka themeluar grupin punues për menaxhimin e situatës, ku pos institucioneve të Komunës, do të jenë të përfshira edhe KRU Hidromorava, Policia e Kosovës dhe FSK.
Drejtori për Mbrojte dhe Shpëtim, Sami Spahiu tha “Nga këto vërshime është vërshuar dhe rrezikuar dje edhe trafostacioni kryesor i qytetit TS 110/KË Gjilani 5 nga vërshimi ujit në ora 11:50, ekipet emergjente kanë vendos pompa uji dhe është shmangur rreziku nga përmbytja totale e këtij trafostacioni me rëndësi të qytetit. Gjithashtu në disa pjesë të qytetit uji pijshëm është ndërprerë përkohësisht, sikurse edhe energjia elektrike për shkak të intervenimeve në terren nga e ekipet e shpëtimit të NJPZSH”.
Spahiu tha se nga ora 10:30 e datës 10.01.2020 deri në ora 08:00 datë 11.01.2020, ka pasur 87 kërkesa për ndihmë për intervenime nga vërshimet, ku janë evakuuar 15 persona (Gjilan 5, Malishevë 2, Uglar 3, Bresalc – Jabuqtë 4 dhe Shillovë – komuniteti Serb – 1).
Ai bëri të ditur se pjesët më të prekura në qytet janë nga vërshimet e lumit Stanishorka tek lagjja Porodini, rruga qarkore, tek ish-INA, tek pishina Hawai, tek Fabrika Baterive, HIB petrol, ndërsa lumi Mirusha ka dal nga shtrati mbi rrugën qarkore, në Dardani I, Rr “Beqir Musliu”.
“Fshatrat në hyrje të Malishevës, Uglar, Perlepnicë, Livoç i Ulët, Livoç i Epërm, Kuvcë, Bresalc, Kosaqë e shumë vende tjera”, ka njoftuar ai.
Sipas tij, dëmet deri më tani janë shumë të mëdha në infrastrukturë, në pronë shtetërore dhe private.
“Ekipet tona të emergjencave ende janë në terren, duke ofruar ndihmën me gjitha mjetet në dispozicion dhe bëjme thirrje të gjithë qytetarëve që gjatë të reshurave dhe vërshimeve, t’i shmangin lëvizjet në rrugë dhe për raste urgjente për evakuim apo rrethanë tjetër të kontaktojnë ne numrat emergjent, 193 dhe 112”, ka deklaruar drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Gjilan, Sami Spahiu.
Dëme nga vërshimet ka pasur edhe në komunën e Gjakovës. Uji përveç rrugëve ka vërshuar edhe disa shtëpi, duke përfshirë edhe shtëpinë muze të Ferdonije Qerkezit nga Gjakova, së cilës në luftë i janë vrarë bashkëshorti dhe katër djemtë.
Qerkezi ka deklaruar për mediat lokale se reshjet e shiut kanë shkaktuar dëme në podrumin e shtëpisë, ku po i ruante mjetet e punës së djemve të saj.
Edhe Podujeva po përballet me vërshimet pas reshjeve të shiut dhe borës.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se komuna ka vendosur në funksion të gjitha kapacitetet e saj, Ekipin emergjent të Komunës, Shërbimin e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, si dhe kompaninë e kontraktuar për këto raste dhe të gjithë janë në teren për t’u dalë në ndihmë banorëve të prekur nga vërshimet, në mënyrë që kjo situatë të tejkalohet me pasoja sa më të vogla.
Po ashtu për adresimin e problemeve dhe dëmeve të shkaktuara nga vërshimet, kryetari Bulliqi porositi qytetarët që t’i shfrytëzojnë edhe platformën e komunikimit “Alo Komuna” në 0800 19 110.
Ndërkaq, edhe Fushë Kosova, Malisheva, Rahoveci etj, janë duke u përballur me pasoja të mëdha nga vërshimet.
Në Malishevë nga vërshimet janë përmbytur lokale të tëra dhe qarkullimi në qendër është vështirësuar, ndërsa në Fushë Kosovë janë parë bodrume të vërshuara pas të reshurave si dhe vetura të mbuluara nga uji.
Me vërshime po përballet edhe Hani i Elezit. Nga vërshimet si pasojë e reshjeve janë bllokuar për qarkullim edhe disa magjistrale, ndërsa qarkullimi është vështirësuar edhe brenda qyteteve.
Ndryshe, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se pas reshjeve të shumta të shiut ka ngritje enorme të nivelit të lumenjve.
Sipas njoftimit të IHMK-së, kësaj gjendje i ka parapri edhe sasia e borës e rënë ditë më parë e cila si pasojë e temperaturave pozitive, është shkrirë me shpejtësi duke e vështirësuar edhe më tepër këtë situatë.
“Pas reshjeve të shumta të rëna gjatë këtyre ditëve, të cilat kanë përfshi tërë territorin e Kosovës, duke shkaktuar vërshime masive nëpër disa zona të vendit. Kësaj gjendje i ka parapri edhe sasia e borës e rënë ditë më parë e cila si pasojë e temperaturave pozitive, është shkrirë me shpejtësi duke e vështirësuar edhe më tepër këtë situatë. Edhe gjatë 24h të fundit kanë vazhduar reshjet me intensitet të shtuar, në tërë vendin të cilat edhe më tepër e kanë përkeqësuar situatën me vërshime”, thotë IHMK, përcjell Telegrafi.
Po ashtu, instituti thotë se lumenjtë kryesor të Kosovës, gjatë orëve në vazhdim, parashikohet të kenë nivele dhe prurje shumë të larta, ku maksimumi i tyre pritet të arrij gjatë orëve në vijim.
“Lumenjtë kryesor të Kosovës, gjatë orëve në vazhdim, parashikohet të kenë nivele dhe prurje shumë të larta, ku maksimumi i tyre pritet të arrij gjatë orëve në vijim. Situata pritet të stabilizohet gradualisht, duke filluar nga dita e sotme, për të vazhduar me tendencë të rënies së letë të niveleve dhe prurjeve të ujit, e cila do të vazhdoj deri më datë 13/01/2021, ku përsëri do të kemi reshje të herëpashershme shiu dhe bore të intensitetit më të ulët dhe me karakter lokal”, njofton instituti.
Ndërkaq, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” njofton se është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për Fushë Kosovën, Drenasin, Obiliqin dhe lagjen ‘Kalabria’ në Prishtinë.
Sipas kompanisë, kjo ndërprerje është për shkak të rritjes së turbullirës, pas reshjeve të shumta të shiut dhe borës.
“Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe borës këto ditë, janë rritur skajshëm rrjedhjet sipërfaqësore në zonat fushore ku të njëjtat kanë përfunduar te kanali i Ibër Lepencit, kanal prej të cilit merret uji i pa përpunuar për tu trajtuar pastaj për pije (FPU Shkabaj). Si shkak i kësaj, kemi sërish rritje të turbullirës në atë nivel që, e bënë të pamundur trajtimin e ujit për pije konform standardeve dhe teknologjisë që posedojmë, por edhe për ruajtjen e stabilimenteve. Me qëllim që të ruajmë kualitetin e ujit për pije (me ç’rast e kemi edhe rekomandim nga IKSHPK-ja), jemi të detyruar të ndërpremë furnizimin me ujë të pijshëm për Fushë Kosovën dhe lagjen ‘Kalabria’ në Prishtinë. Përveç ndërprerjes së detyrueshme të furnizimit me ujë të pijshëm për këto dy zona, ndërprerje do të kenë edhe Obiliqi dhe Drenasi”, njofton kompania, përcjell Telegrafi.
“Por, për shkak që të bëjmë sado pak shpërndarje të barabartë të ujit, kemi bërë edhe alternative tjera teknike për furnizim. Në momentin që kushtet lejojnë që uji të trajtohet dhe të garantohet cilësia e duhur pas trajtimit, ne do e rikthejmë gjendjen normale me trajtim dhe furnizim, me ç’rast në këtë situatë të rënduar nga vërshimet ju lusim për durim deri në stabilizim të gjendjes, ngase situata e krijuar nga natyra nuk varet nga ne”.
Po ashtu, KRU “Prishtina” tregon se ka ngritje të nivelit të ujit në liqenet e Batllavës dhe Badocit.
“Liqenet artificiale Badoci dhe Batllava kanë një ngritje të nivelit të ujit prej mbi 2 metra, por që kjo rritje e nivelit nuk ka ndikuar ende në rritje të turbullirës, por me ardhjet e shumta në liqe, pritet turbullim i ujit, me ç’rast do të ndërmarrim veprime konkrete karshi situatës. Ekipa e Laboratorit së bashku me përgjegjësit e këtyre sistemeve prodhuese, po marrin mostra gjatë tërë ditës për të parë më afër cilësinë e ujit pijshëm në rezervuare dhe rrjetin shpërndarës të ujit për të evituar ndotjen eventuale”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
Gazeta zvicerane citon Kurtin: Kosova të përgatitet për hakmarrje nga Serbia, s’është koha për bashkim me Shqipërinë
KFOR-i nuk e pohon as nuk e mohon nëse policët e Kosovës hynë në Serbi
Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, po e voziste një fëmijë 11-vjeçar
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme
Risi në sistemin e drejtësisë: Prokuroria dhe gjykatat me standarde të reja në matjen e dënimeve
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje