Në këtë takim Blaku ka thënë se MAP-i është i përkushtuar për realizimin e politikave dhe strategjive legjislative, si dhe sigurimin e zbatimit të infrastrukturës ligjore në praktikë.

Ai ka falënderuar OSBE-në për përkrahjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin e treguar në raport me institucionet e Republikës së Kosovës dhe në veçanti ka shprehur mirënjohjen për botimin e këtyre akteve nënligjore, duke theksuar se ky botim do të ndikojë në rritjen e informimit të zyrtarëve, gjë që do të ndikojë edhe në realizimin e detyrave dhe obligimeve të përditshme institucionale.


“Ky botim do të shërbejë që udhëzimet e botuara të zbatohen më me efikasitet dhe transparencë, si faktorë tepër të rëndësishëm në funksion të fuqizimit të sundimit të Ligjit”, tha ai.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i OSBE-së Mors ka shprehur kënaqësinë për të qenë pjesë e këtij projekti, i cili është projekt i vogël, po që ndikimi i tij do të duhej të ishte mjaft i madh.

“Ligji zbatohet për të gjithë njësoj, përfshirë këtu edhe ata që ndoshta nuk e dinë se ekziston ai Ligj. Është e nevojshme dhe obligim i institucioneve që përkrah hartimit të akteve ligjore dhe nën ligjore, t’i bëjnë publike ato, qoftë duke i botuar apo në formë elektronike, në mënyrë që publiku të jetë i njoftuar me to dhe t’i ketë më afër”, tha ai.

Mors ka shprehur gatishmërinë e OSBE-së që bashkëpunimi të vazhdojë, duke ofruar edhe më tutje asistencën dhe mbështetjen e nevojshme për forcimin e sundimit të Ligjit në Kosovë.

Botimi i akteve nënligjore të miratuara nga MAP-ja në vitin 2008, është mbështetur nga Misioni i OSBE-së, i cili i ka ofruar MAP-së 600 ekzemplarë që do tu shpërndahen zyrtarëve të institucioneve të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/