Vazhdojnë kritikat për përqafimin e Ahmadinejadit me nënën e Chavezit

Sipas ligjit islamik në fuqi në Iran, është i ndaluar kontakti fizik në mes të personave të gjinisë së kundërt, që nuk janë në lidhje gjaku.
Fotografia e Ajmadinejadit tek përqafon nënën e Chavezit, është publikuar pas varrimit të presidentit të Venezuelës në Karakas, ndërsa shtypi iranian njoftoi sot se zyrtarët fetarë kanë thënë se kontaktet e tilla janë "të ndaluara".
Klerikët kanë kritikuar po ashtu Ahmedinejadin për mesazhet e ngushëllimit pas vdekjes së Chavezit, të cilin ai e quajti “martir”.
Në një postim në faqen e presidentit iranian, për Chavezin ai kishte thënë: "Nuk kam asnjë dyshim se Chavezi do të kthehet me Jezusin dhe Mahdin (imami i cili sipas besimtarëve shiit fshihet me mision që nga shekulli i X-të), për të vendosur paqen dhe drejtësinë në botë”.
Nënkryetari iranian, Mohammad Reza Mirtajeddini - kleriku i cili shoqëroi Ahmadinejadin në Karakas - fillimisht ishte përpjekur të mohojë historinë e përqafimit, duke thënë se fotoja ishte e falsifikuar.
Ayatollah Mohammad Yazdi, ish kreu i gjyqësorit të Iranit, ka reaguar ndaj Mirtajeddinit duke thënë: “Ti je klerik dhe mbanë rrobat e klerikut... nuk duhet të mohosh atë që ka ndodhur”.
Ahmedinejadi është kritikuar edhe sepse ka puthur arkivolin e Chavezit. Mohammad Taghi Rahbar, zyrtar në pushtet në qytetin e dytë iranian për nga madhësia, Ishafan, ka thënë më parë për agjencinë iraniane të lajmeve Mehr se Ahmedinejad e “ka humbur kontrollin”.
Ligjvënësi Mohammad Mehdi Pourfatemi ka thënë se klerikët e lartë duhet ta dënojnë sjelljen e Ahmadinejadit dhe të mos lejojnë atë të bëjë veprime “anti-islamike, si t’ia ketë qejfi atij”. Ndërsa, një tjetër deputet, Mohammad Dehghan, nuk ia ka përmendur emrin presidentit iranian, por ka deklaruar se sjellja e “një zyrtari të lartë të qeverisë nuk ishte dinjitoze”
Ahmedinejadi është përqeshur nga reformistët iranianë për lotët e tij në funeralin e Chavezit.
"Plasa duke qeshur kur e shihja Ahmedinejadin teksa qante në krahët e nënës së Chavezit”, ka thënë Abbas Abdi, aktivist dhe kolumnist i pavarur në faqen e internetit Aftabnews.ir. "Nëse kishte nevojë të qante, ka mundur ta bënte këtë për bashkatdhetarët e tij që vdiqën në përleshje me forcat e sigurisë, gjatë protestave masive që pasuan pas kontestimit të rizgjedhjes së tij më 2009”.
Ahmadinejad nuk ka reaguar publikisht ndaj komenteve të tilla, që vijnë tre muaj para zgjedhjeve presidenciale të qershorit. Ai nuk mund të kandidojë në këto zgjedhje, për shkak të kufizimeve në Kushtetutën e Iranit, por është duke kërkuar një person të favorizuar për të marrë pjesë në garë. Kritikat e tilla mund ta kufizojnë favoritin e tij. /Telegrafi/























































