Varroset me nderime ushtarake kolonel Adem Haxhosaj

Në Kompleksin e Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan, me nderimet më të mëdha ushtarake dhe qytetare iu dha lamtumira e fundit ish komandantit të shquar të UÇK-së dhe eprorit të lartë të Forcës së sigurisë së Kosovës, kolonel Adem Haxhosaj.
I pakompromis në betejat e lavdishme të UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe dhe flamurtar në ngritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe shtendërtimin e vendit komandant Adem Haxhosaj do të mbetet shembull i përkushtimit dhe dashurisë ndaj atdheut. Kështu u tha më mbledhjen komemorative të organizuar nga OVL dhe Komuna e Deçanit.
“Brigada 131 dhe batalion i parë në krye me komandant Adem Haxhosaj ishte një kala e pathyeshme në vijat e frontit. Pushka e komandant Ademit jehoi nëpër të gjitha betejat në Dukagjin. Gjithmonë ishte e para në ballë të ushtarëve, në çdo front ai ishte aty, duke e ngritur moralin e shokëve dhe duke treguar me veprim se fitorja arrihet me gjak dhe sakrificë. AI ishte i pari që dilte përpara dhe kërkonte vetëm një gjë , që lufta të mos ndalej derisa liria të bëhej realitet”, tha Ragip Kuçi, OVL.
“Ishin plagët e qershorit , bashkë me Adem Haxhosaj ishim të plagosur rëndë dhe luftonim me jetën. Ishin ditë të rënda për ne por patëm fatin ta kalojmë edhe atë periudhë dhe të vazhdojmë tutje në themelimin e institucioneve të Kosovës. E dimë që Ademi deri në pensionimin e tij e dha një kontribut të veçant për themelimin e institucioneve të Kosovës dhe ky kontribut i tij nuk do të harrohet kurrë”, tha Bujar Haradinaj, bashkëluftëtar.
“Për të gjitha këto Ademi është njeriu që do të jetë model që do të kujtohet shekuj e shekuj pas kësaj dite lamtumire. Lamtumirë komandant Adem Haxhosaj, i lehtë të qoftë dheu i Kosovës”, tha Bashkim Ramosaj, kryetari i Deçanit.
Adem Haxhosaj i takon plejadës më të ndritur të kombit shqiptar dhe si i tillë do të mbetet përgjithmonë u tha ndër të tjera në lamtumirën e fundit. Ai la pas vetes, bashkëshorten Valbonën, vajzën dhe dy djemtë e tij.
















































