Ushtria amerikane pozicionohet për sulme të mundshme ndaj Iranit

Presidenti Trump nuk ka dhënë asnjë shenjë se ka marrë një vendim se si do të veprojë, teksa bisedimet diplomatike po vazhdojnë.
Nga: Helene Cooper, Eric Schmitt dhe Ronen Bergman / The New York Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Grumbullimi i shpejtë i forcave amerikane në Lindjen e Mesme ka arritur në pikën ku presidenti Trump ka mundësinë të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Iranit që në këtë fundjavë, thanë zyrtarë të administratës dhe të Pentagonit, duke e lënë Shtëpinë e Bardhë përballë zgjedhjeve me pasoja të mëdha mes diplomacisë dhe luftës.
Z. Trump nuk ka dhënë asnjë shenjë se ka marrë një vendim për mënyrën e veprimit. Por, pavarësisht bisedimeve indirekte mes dy vendeve të martën - me Iranin që kërkoi dy javë kohë për të paraqitur propozime më të detajuara për një zgjidhje diplomatike - këtë javë ka vazhduar përpjekja për të ngritur një forcë ushtarake të aftë për të goditur programin bërthamor të Iranit, raketat e tij balistike dhe bazat përkatëse të lëshimit.
Z. Trump ka kërkuar vazhdimisht që Irani të heqë dorë nga programi i tij bërthamor, përfshirë pajtimin për të mos e pasuruar më uraniumin. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, vendi i të cilit mund të marrë pjesë në sulm, ka bërë presion për veprime që do të dobësonin aftësinë e Iranit për të lëshuar raketa ndaj Izraelit.
Forcat izraelite, të cilat prej javësh janë në gatishmëri të shtuar, kanë intensifikuar përgatitjet për një luftë të mundshme, dhe - sipas dy zyrtarëve izraelitë të mbrojtjes - një mbledhje e kabinetit të sigurisë së Izraelit është zhvendosur nga e enjtja për të dielën.
Shumë zyrtarë të administratës kanë shprehur skepticizëm për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje diplomatike me Teheranin. Bisedimet indirekte të së martës në Gjenevë përfunduan me atë që ministri i Jashtëm i Iranit e quajti marrëveshje për një “grup parimesh udhëzuese”. Zyrtarët amerikanë thanë se palët shënuan një përparim, por shtuan se kanë mbetur boshllëqet e mëdha.
Z. Trump ka kërcënuar vazhdimisht se Irani duhet të plotësojë kushtet e tij ose do të përballet me pasoja të rënda. Por, një sulm tjetër, tetë muaj pas luftës 12-ditore gjatë së cilës Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara goditën objektivat ushtarake dhe bërthamore në mbarë Iranin, do të mbartte rreziqe të konsiderueshme, përfshirë mundësinë që Irani të përgjigjej me një valë të ashpër sulmesh me raketa ndaj Izraelit dhe forcave amerikane në rajon.
Për një president që kandidoi duke premtuar se do t’i mbante Shtetet e Bashkuara jashtë luftërave, z. Trump tani po shqyrton atë që së paku do të ishte sulmi i shtatë ushtarak amerikan në një vend tjetër që nga viti i kaluar, dhe i dyti ndaj Iranit. Në qershorin e kaluar, pasi goditi tre objekte bërthamore iraniane, z. Trump deklaroi se programi bërthamor i Iranit ishte “zhdukur”. Por, tani ai po shqyrton sërish dërgimin e ushtrisë amerikane për të vazhduar punën.
Ndryshe nga sulmi amerikano-izraelit i qershorit të kaluar, objektivat e z. Trump tani janë më pak të qarta.
Grumbullimi ushtarak amerikan përfshin dhjetëra aeroplanë cisternë për furnizim me karburant në ajër, të dërguar me urgjencë nga Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara, më shumë se 50 aeroplanë shtesë luftarakë dhe dy grupe goditëse me aeroplanmbajtëse, së bashku me destrojerët, kryqëzorët dhe nëndetëset përkatëse, thanë zyrtarët amerikanë.
Aeroplanmbajtësja “U.S.S. Gerald R. Ford”, e kthyer nga Karaibet ku ishte pjesë e flotës detare që ushtronte presion ndaj qeverisë venezuelase të presidentit Nicolás Maduro, po afrohej drejt Gjibraltarit të mërkurën, ndërsa lëvizte për t’iu bashkuar aeroplanmbajtëses “U.S.S. Abraham Lincoln” në rajon.
“Presidenti ka qenë gjithmonë shumë i qartë, sa i përket Iranit apo çdo vendi tjetër në botë, se diplomacia është gjithmonë opsioni i tij i parë dhe Irani do të tregoj shumë i mençur duke arritur një marrëveshje me presidentin Trump dhe këtë administratë”, tha të mërkurën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
“Ai gjithmonë mendon për atë që është në interesin më të mirë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të ushtrisë sonë dhe të popullit amerikan, dhe mbi këtë bazë merr vendime për veprime ushtarake”, shtoi ajo.
Në Izrael, dy zyrtarët e mbrojtjes thanë se po bëhen përgatitje të rëndësishme për mundësinë e një sulmi të përbashkët me Shtetet e Bashkuara, megjithëse nuk është marrë ende një vendim për zbatimin e tij. Ata thanë se planifikimi parashikon dhënien e një goditjeje të fortë gjatë disa ditëve, me qëllimin për të detyruar Iranin të bëjë lëshime në tryezën e negociatave, të cilat deri tani ka refuzuar t’i bëjë.
Grumbullimi amerikan sugjeron një gamë të gjerë objektivash të mundshëm iranianë, përfshirë raketat me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi, depot për magazinim e raketave, objektet bërthamore dhe objektivat e tjerë ushtarakë, si selia e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.
Vendimi përfundimtar për shtrirjen e objektivave mbetet kryesisht në dorën e z. Trump, thanë zyrtarët amerikanë.
Zyrtarët e administratës dhe të ushtrisë thanë se Shtetet e Bashkuara kanë forcuar kapacitetet e tyre mbrojtëse, që nga janari, kur presidenti kërcënoi fillimisht me sulm ndaj Iranit.
Në atë kohë, z. Trump kishte kërkuar opsione për t’iu përgjigjur shtypjes së përgjakshme të protestave nga qeveria iraniane. Por, më vonë ai kërcënoi me sulm nëse Irani nuk do të arrinte një marrëveshje për kufizimin e programit të tij bërthamor dhe tha se një “Armadë masive” po i drejtohej vendit.
Pavarësisht qëndrimit të ashpër të z. Trump, Pentagoni muajin e kaluar ishte në një pozicion të dobët për ta mbështetur. Rreth 30-40 mijë trupa amerikane të shpërndara në Lindjen e Mesme, përfshirë në tetë baza të përhershme, kishin mbrojtje të kufizuar ajrore për t’u mbrojtur nga hakmarrja e pritshme.
Aeroplanët shtesë luftarakë, të nevojshëm për një operacion të tillë, ndodheshin në bazat amerikane në Evropë dhe madje në Shtetet e Bashkuara. Ishte tërhequr pjesa më e madhe e pajisjeve ushtarake të grumbulluara gjatë 20 vjetëve me luftë në rajon.
Por, gjatë muajit të fundit, ushtria amerikane ka zhvendosur sistemet e nevojshme të mbrojtjes ajrore - përfshirë sistemet Patriot dhe THAAD - në rajon. Të dy sistemet janë në gjendje t’i godasin raketat balistike iraniane.
Një zyrtar ushtarak tha se ushtria amerikane tani mund të mbrojë trupat, aleatët dhe asetet e saj nga çdo hakmarrje iraniane për shkak të sulmeve ndaj objektivave bërthamorë dhe ushtarakë, të paktën për një fushatë të shkurtër. Por, shtoi ai, mbetet pyetja nëse ushtria amerikane është e gatshme të përballojë një luftë më të gjatë dhe më të gjerë.
Sipas të dhënave të gjurmimit të fluturimeve dhe të zyrtarëve amerikanë, grumbullimi amerikan përfshin gjithashtu dhjetëra aeroplanë shtesë luftarakë F-35, F-22 dhe F-16, të cilët në ditët e fundit lëvizën nga Shtetet e Bashkuara drejt Evropës dhe më pas në Lindjen e Mesme.
Këta zyrtarë thonë se dhjetëra aeroplanë për furnizim me karburant, jetikë për një fushatë të zgjatur ajrore, kanë lëvizur gjithashtu.
Sipas zyrtarëve ushtarakë, aeroplanmbajtësja e dytë “Gerald Ford” dhe tre destrojerë shoqërues mund të jenë në Mesdhe deri në fundjavë ose në fillim të javës së ardhshme. Ka të ngjarë që fillimisht të pozicionohet pranë brigjeve të Izraelit për të mbrojtur Tel Avivin dhe qytetet e tjera izraelite.
Një zyrtar ushtarak tha se aeroplanmbajtëset kanë sistemet e tyre mbrojtëse, përfshirë destrojerë shoqërues që mund të rrëzojnë raketat e drejtuara ndaj tyre. Është e vështirë të goditet një aeroplanmbajtëse me një raketë balistike nëse ajo lëviz me shpejtësi të lartë, shtoi ai.
Zyrtarët thanë se bombarduesit amerikanë B-2, të përdorur vitin e kaluar kur z. Trump goditi Iranin, dhe bombardues të tjerë me rreze të gjatë veprimi janë vënë në një gjendje më të lartë gatishmërie.
Zyrtarët e lartë të sigurisë kombëtare i kanë thënë presidentit se çdo operacion që synon ndryshimin e udhëheqjes iraniane nuk ka një garanci për sukses.
Vendimi i z. Trump për të shtyrë muajin e kaluar sulmet kërcënuese ndaj Iranit - që sipas dy zyrtarëve të administratës erdhi pasi zyrtarët ushtarakë e paralajmëruan se Pentagoni nuk ishte gati - mund t’i ketë dhënë Iranit kohë për t’u përgatitur më mirë për një sulm.
“Diplomacia mund t’i japë ShBA-së më shumë kohë për të përgatitur ushtrinë e saj, por gjithashtu i jep Iranit më shumë kohë për të planifikuar hakmarrjen”, ka thënë Vali Nasr, ekspert për Iranin në Universitetin “Johns Hopkins”. “Në fund”, shtoi ai, “presidenti duhet të peshojë koston e sulmit ndaj Iranit. Për ironi, qasja e tij i ka bërë këto kosto më të mundshme”. /Telegrafi/




















































