Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe i dyti në listën e kësaj partie për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, Uran Ismaili, përmes një videoje u është drejtuar qytetarëve duke prezantuar një nga pikat kyçe të programit të PDK-së, me fokus në sigurinë ekonomike dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Ismaili tha se programi i kandidatit për kryeministër Bedri Hamza parasheh krijimin e Fondit të Papunësisë, i cili do t’u ofrojë mbështetje qytetarëve në momentet më të vështira financiare.


Sipas tij, çdo qytetar që e humb vendin e punës, si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik, do të përfitojë 80 për qind të pagës së fundit për një periudhë gjashtëmujore.

Ai theksoi se ky fond synon t’i ndihmojë familjet të përballojnë shpenzimet bazike, pagesat e kredive dhe të shmangin krizën e menjëhershme financiare pas humbjes së punës.

“Humbja e vendit të punës është moment i vështirë për çdo qytetar dhe krijon pasiguri të madhe financiare në familje. Me Fondin e Papunësisë, Kosova me Bedri Hamzën nuk i lë qytetarët vetëm kur ndodh e papritura", tha Ismaili në videomesazh.

Ai ka ftuar qytetarët që më 28 dhjetor të votojnë për siguri ekonomike dhe mbrojtje sociale, duke theksuar se ky është një hap jashtëzakonisht i nevojshëm për një shtet që synon të kujdeset për qytetarët e vet.