U përmbyll me sukses Java e Trajnimeve për ESG në Universitetin e Prishtinës – Dita e tretë solli diskutime për dokumentimin e burimeve njerëzore

Java e Trajnimeve për ESG – Standardet ESG për një Karrierë të Suksesshme, e organizuar nga ESRA – Environmental and Social Responsibility Association dhe e fuqizuar nga Qendra për Zhvillim të Karrierës në Universitetin e Prishtinës, është përmbyllur me sukses me ditën e tretë të mbajtur më 17 prill 2025.
Dita e fundit e kësaj jave trajnimesh u fokusua në temën “Dokumentimi i Burimeve Njerëzore”, me trajneren Zana Beqiri, e cila solli një qasje praktike dhe profesionale për menaxhimin dhe administrimin e të dhënave në sektorin e HR-së.
Sesioni i trajnimit nisi me regjistrimin e pjesëmarrësve, për të vijuar me dy pjesë intensive, gjatë të cilave studentët patën mundësinë të diskutojnë çështje ligjore dhe administrative që lidhen me dokumentimin e burimeve njerëzore – një temë gjithnjë më e rëndësishme për tregun e punës dhe sigurinë e të dhënave personale.
Studentët e pranishëm u shprehën të kënaqur me përmbajtjen e trajnimit dhe eksperiencën e fituar. Kaltrinë Selimi, njëra nga pjesëmarrëset, u shpreh:
“Kemi pasur fatin të kemi Zana Beqirin si trajnere, e cila përveçse kishte një qasje shumë miqësore me neve si pjesëmarrës, na tregoi që ka përvojë edhe në vendet e jashtme, por edhe në Kosovë. Gjatë trajnimit kemi prekur shumë pika kyçe të këtij drejtimi, si administrative ashtu edhe ligjore, që më herët nuk është se janë cekur – edhe pse janë dokumentuar. Tani e dimë që çdo kompani ose institucion ka departamentin e HR-it dhe prej njohurive që kemi marrë, na sigurohet një mbrojtje në të ardhmen për informacionet tona personale ose profesionale. Besoj se kjo do të na hyjë shumë në punë”.
Ndërkohë, studenti Fatbardh Haziri tha se trajnimi ka qenë një mundësi e mirë për të reflektuar mbi rolin e burimeve njerëzore në zhvillimin profesional:
“Trajnimi ka qenë shumë i mirëseardhur, duke u bazuar në temën ‘Dokumentimi i burimeve njerëzore’. Kemi diskutuar disa nga pikat kryesore të HR-it – trajtimin dhe menaxhimin e burimeve njerëzore – gjithmonë me ndihmën e trajneres sonë Zana. Besoj që eksperiencat e saj do të na ndihmojnë edhe neve të mësojmë më shumë dhe të na shërbejnë gjatë jetës”.
Pas sesioneve të trajnimit, pjesëmarrësit patën rastin të rrjetëzohen dhe të ndajnë idetë e tyre, ndërsa në fund të ditës u shpërndanë edhe certifikatat e pjesëmarrjes.
Ky aktivitet u mbështet nga sponsorët:
Hare Residence – sponsor gjeneral
Ujë Rugove
Telegrafi – sponsor medial.













































