Trump urdhëron qeverinë të ndalojë përdorimin e Anthropic

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se do t'u drejtohej çdo agjencie federale që të ndalojë menjëherë përdorimin e teknologjisë nga zhvilluesi i Inteligjencës Artificiale, Anthropic.
“Nuk kemi nevojë për të, nuk e duam dhe nuk do të bëjmë më biznes me ta”, tha Trump, shkruan BBC.
Anthropic është përfshirë në një grindje me Shtëpinë e Bardhë pasi refuzoi kërkesat që të pranonte t'i jepte ushtrisë amerikane akses të pakufizuar në mjetet e saj.
Refuzimi e shtyu Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së, Pete Hegseth, të thoshte se e konsideronte Anthropic një "rrezik për zinxhirin e furnizimit".
Kompania tha se përcaktimi i saj si rrezik për zinxhirin e furnizimit "do të ishte ligjërisht i pabazuar dhe do të vendoste një precedent të rrezikshëm për çdo kompani amerikane që negocion me qeverinë".
Sipas Trumpit, mjetet e Anthropic do të hiqen gradualisht nga të gjitha punët qeveritare gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.
Ndryshe, Anthropic ka qenë në përdorim nga qeveria dhe ushtria amerikane që nga viti 2024 dhe ishte kompania e parë e përparuar e Al që i vendosi mjetet e saj në agjencitë qeveritare që kryejnë punë të klasifikuara.
Puna e Anthropic me Pentagonin është pjesë e një kontrate me vlerë 200 milionë dollar.
Vlerësimi më i fundit i kompanisë u bë në fillim të këtij muaji dhe e vendosi vlerën e kompanisë në 380 miliardë dollarë, bazuar në të ardhurat e saj aktuale dhe fitimet e pritura në të ardhmen. /Telegrafi/











































