Para paketës së re të tarifave që do të hyjë në fuqi të premten, Donald Trump njoftoi se do të vendosë një tarifë prej 25 për qind ndaj Indisë, së bashku me një dënim tjetër të papërcaktuar për importimin e naftës dhe armëve ruse, pavarësisht sanksioneve të SHBA-së.

Presidenti amerikan në një mesazh të publikuar të mërkurën në platformën Truth Social, deklaroi se planifikon të vendosë një tarifë doganore prej 25 për qind për mallrat nga India dhe një taksë shtesë për importet, për shkak të blerjes së naftës së papërpunuar nga Rusia nga ana e Indisë.


“Kujtoni, megjithëse India është mike e jona, gjatë viteve kemi bërë shumë pak tregti me ta, sepse tarifat e tyre janë jashtëzakonisht të larta – ndër më të lartat në botë,” shkroi ai.

Më tej, ai kritikoi barrierat tregtare të Indisë, të cilat i përshkroi si “të lodhshme dhe të neveritshme”.

Sipas Times of India, shteti indian siguron rreth 35 për qind të naftës së saj të papërpunuar nga Rusia dhe në qershor të këtij viti arriti një nivel importi rekord në dy vitet e fundit. SHBA ka vendosur sanksione ndaj prodhuesve dhe transportuesve të naftës ruse për shkak të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia. India gjithashtu importon pajisje ushtarake nga Rusia në vlerë prej rreth 80 miliardë dollarë ose rreth 70 miliardë euro, duke përfshirë aeroplanë luftarakë, sisteme raketash, nëndetëse dhe helikopterë.

Trump akuzoi Indinë se “blen pjesën më të madhe të pajisjeve të saj ushtarake nga Rusia dhe është blerësi më i madh i energjisë ruse” në një kohë kur “të gjithë duan që Rusia të ndalë vrasjet në Ukrainë.”

Për këtë arsye, ai synon të vendosë një “dënim” shtesë, ende të papërcaktuar, duke filluar nga e premtja, si pjesë e tarifave të reja të administratës që do të prekin disa vende.

India dhe Rusia kanë marrëdhënie të ngushta dhe Nju Delhi nuk i ka mbështetur sanksionet perëndimore kundër Moskës për luftën në Ukrainë. /Telegrafi/