Presidenti Donald Trump tha se nëse Irani nuk arrin një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara dhe nuk hap Ngushticën e Hormuzit, vendi do të përfundojë përfshirjen ushtarake në rajon duke “hedhur në erë dhe zhdukur plotësisht” termocentralet dhe puset e naftës në vend.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në diskutime serioze me një regjim të ri dhe më të arsyeshëm për t'i dhënë fund Operacioneve tona Ushtarake në Iran. Është bërë përparim i madh, por, nëse për ndonjë arsye nuk arrihet një marrëveshje së shpejti, gjë që ndoshta do të arrihet, dhe nëse Ngushtica e Hormuzit nuk është menjëherë ‘e hapur për biznes”, ne do ta përfundojmë ‘qëndrimin’ tonë të këndshëm në Iran duke hedhur në erë dhe zhdukur plotësisht të gjitha Termocentralet e tyre të Gjenerimit të Energjisë Elektrike, Puset e Naftës dhe Ishullin Kharg..., të cilat qëllimisht nuk i kemi ‘prekur’ ende”, ka thënë Trump, në një postim në Truth Social këtë mëngjes.


Kjo deklaratë e tij vjen pasi Trump ngriti mundësinë që SHBA-të të marrin naftën e Iranit.

Trump kishte thënë se "preferenca e tij do të ishte të merrte naftën", ndërsa po peshon nëse do të marrë qendrën kryesore të eksportit të karburantit të Iranit në Ishullin Kharg.

Ndërkohë, çmimet e naftës u rritën të hënën, me naftën e papërpunuar Brent që kaloi 116 dollarë për fuçi pas komenteve të tij. /Telegrafi/