Site icon Telegrafi

Tri vaksina të reja në kalendarin e vaksinimit në Kosovë, Ramadani: Do të ketë ulje të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike së Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë, ka mbajtur sot konferencën lidhur me përfshirjen e tri vaksinave të reja në kalendarin e vaksinimit të rregull në Kosovë.

Në këtë konferencë u bë e ditur se Vaksina kundër Human Papilloma Virusit; Vaksina kundër Rotavirusit dhe Vaksinës kundër Pneumokokut, tash e tutje do të jenë pjesë e kalendarit të rregullt të vaksinimit me qëllim të parandalimit të sëmundjeve infektive si Karcionima e qafës së mitrës, infeksioneve me Rotavirus, Pneumonisë, Meningjitit e Sepsës.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se Plani i Veprimit për Vaksinim 2022-2025 i Ministrisë së Shëndetësisë ka paraparë zgjerimin e Kalendarit të vaksinimit me këto tre vaksina, si një intervenim i drejtpërdrejtë, për të ulur sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë nga kanceri i qafës së mitrës; infeksionet me Rotavirus te fëmijët dhe sëmundje të ndryshme që shkaktohen nga tipe të ndryshme të Pneumokokut.

“Pas fuqizimit të kapaciteteve të Zinxhirit të ftohtë të vaksinimit dhe përmirësimit të rrjetit transportues të vaksinave, si dhe zbatimin e vaksinimit plotësues “Catch-up”, me qëllim të mbulushmërisë sa më të lartë të popullatës së cakut me vaksinim, do të vazhdojmë me digjitalizimin e plotë të procesit të vaksinimit, mirëmbjatjes dhe avancimit të modulit aktual të vaksinimit të rregullt dhe vaksinimit kundër COVID-19, si dhe raportimin efektiv dhe monitorimin e efekteve anësore të padëshirueshme të të gjitha vaksinave të dhëna”, tha mes tjerash ai.

Drejtori i Institutit Kombëtar, Naser Ramadani tha se IKSHPK ka inicuar përditësimin e kalendarit të rregullt të imunizimit, të aprovuar edhe nga Ministria e Shëndetësisë.

Ai shtoi se bazuar në këtë plan, vaksinat PCV dhe Rota do të fillojnë të administrohen si pjesë e rregullt e kalendarit që nga ky muaj, kurse vaksina HPV, sipas tij, do të fillojë të jepet nga fillimi i vitit 2024.

“Përfshirja e vaksinave të reja në kalendarin e rregullt të vaksinimit pritet të rezultojë me ulje të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë, si dhe kursime në shpenzimet për kujdesin shëndetësor”, tha mes tjerash ai./Telegrafi/

Exit mobile version