Kërkimet për trupin e pajetë të mërgimtarit 33-vjeçar, i cili dyshohet se është hedhur nga ura në Liqenin e Ujmanit, kanë hyrë në ditën e tretë.

Në vendngjarje kanë qenë të angazhuara njësite të Policisë së Kosovës, ekipet e kërkim-shpëtimit si dhe zhytës profesionistë, të cilët po punojnë pa ndërprerë për lokalizimin e trupit, por deri tani, përpjekjet nuk kanë dhënë rezultat.


Telegrafi ka siguruar pamje të trupave të KFOR-it të cilët janë duke shkuar drejt liqenit të Ujmanit si dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), për të ndihmuar në intensifikimin e kërkimeve.

Zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Liridona Gashi ka bërë të ditur për Telegrafin se FSK-ja sot do të fillojë kërkimin te Liqeni i Ujmanit në Zubin Potok.

Po ashtu, për Telegrafin, nga Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim u bë e ditur se ekipet e tyre ndodhen prej ditës së diel në terren, duke bashkëpunuar me njësitet policore në përpjekjet për të gjetur personin e zhdukur. /Telegrafi/