Tri ditë në kërkim të bariut, dyshohet se e ka marrë rrjedha e lumit Vjosë

Që prej datës 3 shkurt , fati i bariut Ylli Dine, 65 vjeç, mbetet i panjohur. Sipas dyshimeve paraprake, ai mendohet se është rrëmbyer nga rrjedha e lumit Vjosa pasi është rrëzuar në zonën e njohur si “Fusha e fshatit Peshtan”, në bashkinë Tepelenë.
Ngjarja ka tronditur familjarët dhe banorët e zonës, të cilët prej ditësh jetojnë mes ankthit dhe shpresës. Prej ditës së parë të raportimit të zhdukjes, kërkimet po zhvillohen me intensitet të lartë.
Në operacion janë angazhuar palombarët e RENEA-s, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, Forca e Posaçme “Shqiponja”, shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, përfaqësues të Forcave të Armatosura, si dhe familjarë e vullnetarë.
Krehja e shtratit të lumit po kryhet nga të dyja anët, në një terren të vështirë dhe me rrjedhë të fortë uji. /A2 CNN




















































