Transferimi 125 milionësh në krizë, Wirtz mbetet pa gola

Mesfushori ofensiv i Liverpoolit, Florian Wirtz, i transferuar këtë verë nga Bayer Leverkusen për 125 milionë euro, po përballet me një fillim të vështirë në “Anfield”.
Edhe pse asistoi në debutim gjatë ndeshjes së Community Shield, 22-vjeçari gjerman nuk ka arritur të regjistrojë asnjë gol apo asistim në tetë paraqitjet e mëvonshme në të gjitha kompeticionet.
Megjithatë, Wirtz vazhdon të tregojë vlerën e tij si organizator loje, aktualisht ai kryeson Ligën Premier për raste të krijuara, duke dëshmuar se mungesa e finalizimeve nuk e reflekton plotësisht kontributin e tij në fushë.

Drejtori i kombëtares gjermane, Rudi Voller, ka dalë në mbështetje të lojtarit, duke deklaruar se këto vështirësi janë “të zakonshme kur një lojtar përshtatet me një kampionat dhe klub të ri”.
Voller shtoi se Wirtz ka cilësi të jashtëzakonshme dhe së shpejti do t'u tregojë anglezëve se çfarë përfaqëson realisht.
Nga ana tjetër, legjenda e Liverpoolit, Jamie Carragher, ka sugjeruar një ulje të përkohshme në stol për Wirtz, për ta ndihmuar të rifitojë vetëbesimin dhe njëkohësisht të stabilizojë skuadrën.

Wirtz zhvilloi ndeshjen e tij të parë të plotë me Liverpoolin në humbjen ndaj Galatasaray në Ligën e Kampionëve, ku sërish u vu re për krijimin e disa rasteve të rrezikshme, sinjal i qartë se talenti i tij nuk është humbur, por kërkon kohë për t’u shpërthyer në Ligën Premier. /Telegrafi/


















































