FC Shkupi po përjeton një nga sezonet më të vështira në futbollin elitar të Maqrdinisë së Veriut. Ekipi nga Çairi është i bllokuar në vendin e fundit në tabelë me vetëm një pikë të fituar pas 16 javë të luajtura, njofton Telegrafi.

Pas përfundimit të gjysmësezonit ka folur trajneri Minas Osmani, i cili ka shprehur hapur dëshpërimin nga situata në klubin që ka katër tituj kampion.

"Për ne si klub, ky gjysmësezon ka qenë zhgënjyes dhe i vështirë. FC Shkupi dhe tifozët tanë nuk e meritojnë këtë situatë. Megjithatë, shpresojmë të fillojmë me energji të re dhe forcë më të madhe për të rikthyer rezultatet dhe krenarinë që ky klub meriton", tha në fillim Minas Osmani, trajneri aktual i Shkupit.

Trajneri Osmani beson se FC Shkupi do të reagojë në merkaton e janarit dhe do të sjellë lojtarë cilësorë për të dalë nga zona e rrezikut.

"Jemi të përqendruar maksimalisht në hapjen e merkatos. Shpresojmë se do të arrijmë të sjellim disa lojtarë cilësorë që do ta forcojnë ekipin në ato fusha ku kemi më shumë nevojë. Sa i përket lojtarëve që kemi tashmë në ekip, do të zhvillojmë biseda individuale me secilin prej tyre dhe së bashku do të vlerësojmë hapat e mëtejshëm."

Minas Osmani thekson se qëllimi kryesor i Shkupit është mbijetesa në futbollin elitar vendas.

“Qëllimi ynë është që FC Shkupi të hyjë në gjysmën e dytë të sezonit sa më i kompletuar dhe më konkurrues”, përfundoi trajneri Minas Osmani.

FC Shkupi do ta luajë ndeshjen e parë të sezonit pranveror në transfertë, më 15 shkurt 2026, në stadiumin e Makedonija Gj.P. /Telegrafi/

telegrafi sport app