Prokuroria ka ngritur padi për dhunë mizore dhe nxitje për vetëvrasje, për bashkëshortin e gruas që u hodh nga ballkoni së bashku me vajzën e saj, në lagjen Karposh.

Prokurori publik propozoi zgjatjen e masës së paraburgimit të përcaktuar më parë për të dyshuarin, për shkak të rrezikut të arratisjes dhe mundësisë që ai të vazhdojë të kryejë krime të dhunshme.


Sipas informacioneve të Prokurorisë, në ditën kritike më 2 mars, në disa lokacione në Shkup, i dyshuari e kishte dhunuar gruan e tij, duke i shkaktuar lëndime fizike. E ka goditur me shuplaka dhe grushte, nga të cilat në një moment ajo edhe e humbi vetëdijen. Po atë ditë, tregojnë më tej,në parkingun pas Gjykatës Themelore Penale në Shkup, i akuzuari i ka bërë kërcënime serioze me jetë të dëmtuarës.

“Abuzimi e çoi gruan në gjendje të rëndë psikologjike, frike, pashprese dhe ndjenje pafuqie, dhe pa qenë në gjendje të menaxhonte dhe kontrollonte në mënyrë të arsyeshme veprimet e saj, ajo kreu vetëvrasje duke u hedhur nga ballkoni i apartamentit të saj në katin e gjashtë së bashku me vajzën e saj”, sqarojnë nga PTHP.

I akuzuari shtojnë ata një periudhë të gjatë është sjellur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore ndaj të dëmtuarës, e cila ishte në një pozicion varësie dhe nënshtrimi faktik dhe ekzistencial ndaj tij.

“I akuzuari e kishte bindur të ndjerën Ivana Jovanovska që në nëntor 2022, nëpërmjet një Marrëveshjeje Dhurate, t’i jepte atij pjesën e saj të apartamentit në të cilin jetonin së bashku me vajzën e tyre të mitur, me marrëveshje që ajo dhe vajza të vazhdonin të jetonin në apartament. Megjithatë, pasi fitoi pronësinë, i akuzuari filloi ta abuzonte psiqikisht dhe fizikisht atë, dhe në vitin 2025 intensiteti i abuzimit u përshkallëzua në trajtim mizor dhe çnjerëzor të gruas së tij”, thuhet në njoftimin e PTHP-së.