Një person është vrarë dhe një tjetër ka pësuar lëndime të rënda në një incident që ndodhi në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, konfirmoi Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski.

Sipas tij, viktima është shtetas turk dhe krimi është kryer me një objekt të mprehtë.


"Kemi një person të vdekur dhe një person me lëndime të rënda. Si vrasja ashtu edhe plagosja e rëndë janë kryer me thikë të mprehtë. Ka të dyshuar, por në këtë pikë nuk mund të jap më shumë detaje, sepse njëri prej tyre është në arrati", tha Toshkovski.
Ministri theksoi se në ngjarje morën pjesë disa persona dhe se të gjithë të përfshirët ishin shtetas të huaj.

Përveç vrasjes, shtatë persona u lënduan gjatë përdorimit të mjeteve piroteknike në Shkup gjatë natës së Vitit të Ri.

Gjatë së njëjtës periudhë, në territorin e kryeqytetit ndodhën gjithsej 23 aksidente trafiku, dy prej të cilave përfunduan me lëndime të rënda trupore./Telegrafi/