Tifozët e Skocisë “e tundin tokën”: Festimet e çmendura pas fitores ndaj Danimarkës shkaktuan tërmet të vogël

Skocia jo vetëm që siguroi një vend në Kupën e Botës pas fitores spektakolare 4-2 ndaj Danimarkës, por edhe e tronditi tokën – literalisht.
Agjencia kombëtare britanike e monitorimit sizmik, British Geological Survey (BGS), ka konfirmuar se festimet e tifozëve shkaktuan dridhje të regjistruara si “tërmet jashtëzakonisht i vogël”.
Momenti që ndezi gjithçka ishte supergoli i Kenny McLean në kohën shtesë, kur ai me një goditje nga gjysma e fushës e mposhti Kasper Schmeichelin.
BGS regjistroi një shpërthim sizmik që u përshkrua si lëkundje të nivelit -1 deri në 0 në shkallën Rihter. Po aq e fuqishme ishte edhe festa në vërshëllimën e fundit të ndeshjes.
Ekspertët thanë se të dyja valët e energjisë prodhuan rreth 200 kW fuqi – ekuivalente me 25-40 bateri makinash ose një top futbolli që udhëton me 900 metra në sekondë.

Një tjetër pikë e vogël sizmike u regjistrua në momentin e golit të tretë të Skocisë, kur Kieran Tierney shënoi në minutën e 93-të.
Në “Hampden Park” ishin të pranishëm 49 mijë e 87 tifozë, në një natë historike që pa Skocinë të kryesonte Grupin C dhe të siguronte kualifikimin e parë në Kupën e Botës që nga viti 1998, duke iu bashkuar Anglisë në Botërorin 2026.
BGS njoftoi se lëkundjet u regjistruan nga stacioni sizmik vetëm 2 kilometra larg stadiumit, në Glasgow Geothermal Observatory në Dalmarnock.
Ndërkohë, vetëm disa orë më herët, Skocia përjetoi edhe një tërmet të vërtetë: një dridhje me magnitudë 2.5 goditi zonën Pubil në Perth and Kinross, ndërsa të hënën u shënua edhe një tjetër tërmet me magnitudë 3.3 në të njëjtën rajon.
Në Britani çdo vit regjistrohen rreth 300 tërmete natyrore, por vetëm 30 prej tyre janë aq të forta sa të ndjehen nga njerëzit.
Këtë herë, dridhjet më të fuqishme i shkaktuan tifozët – dhe Skocia mezi pret t’i tundë edhe stadiumet e Botërorit./Telegrafi/





















































