Rikthimi i ish-mbrojtësit Jerome Boateng në seancën stërvitore të Bayern Munich ka shkaktuar reagime të forta në mesin e tifozëve të klubit bavarez.

Edhe pse nuk bëhet fjalë për një riangazhim zyrtar, por vetëm për vëzhgimin e disa seancave stërvitore, shumë tifozë e kanë kundërshtuar hapur praninë e tij për shkak të së kaluarës së tij ligjore.


Sipas gazetës BILD, Boateng do të ketë mundësinë të ndjekë deri në katër seanca stërvitore në javë, nëse trajneri Vincent Kompany jep miratimin. Zëdhënësi i Bayernit shpjegoi situatën duke theksuar se bëhet fjalë vetëm për një kërkesë personale të ish-lojtarit.

“Jerome i kërkoi trajnerit nëse mund të vëzhgonte seancat tona për disa ditë. Kjo nuk është punësim. Nëse trajneri e lejon dhe koha është e koordinuar, klubi nuk ka asgjë kundër kësaj”, deklaroi Bayerni për BILD.

Tifozët reagojnë me protesta dhe peticione

Reagimi i tifozëve nuk vonoi. Në platformën change.org u lançua një peticion me titull “Vendosja e kufijve për dhunën ndaj grave: Jerome Boateng nuk duhet të kthehet te FC Bayern”, i cili mori qindra nënshkrime brenda orëve të para.

Gjatë derbit mes Bayernit dhe Dortmundit (2:1), tifozët në tribunën jugore të “Allianz Arena” shpalosën pankarta me mesazhe të forta:

“Kushdo që i jep hapësirë autorit të krimit ndan fajin e tij. Boateng, largohu.”

“Nuk ka vend për personazhe të këqij në klubin tonë.”

“Nuk ka skenë për autorët e dhunës. Largohu, Boateng.”

Reagimi i drejtuesve të klubit

Drejtori i përgjithshëm i Bayernit, Jan-Christian Dreesen, reagoi pas ndeshjes duke theksuar rëndësinë e rehabilitimit.

“Është një rast i ndërlikuar. Unë besoj se çdo person ka të drejtë për rehabilitim. Vendimi duhet parë në tërësi. E theksoj përsëri, ne nuk kemi marrëdhënie pune me Jerome. Ai është një ish-lojtar që fitoi shumë trofe me klubin, dhe nëse ka një marrëveshje me trajnerin për të vëzhguar stërvitjen, ne e mbështesim atë".

Edhe drejtori sportiv, Max Eberl, konfirmoi se Boateng nuk është i punësuar nga klubi.

“Jerome e pyeti Kompanyn, të cilin e njeh prej kohësh, nëse mund të shikonte stërvitjen për disa ditë. Nuk bëhet fjalë për punë apo për ndonjë rol të përhershëm. Thjesht për vëzhgim, asgjë më shumë. Nuk mendoj se është problem", tha Eberl. /Telegrafi/

telegrafi sport app