Kryeministrja britanike, Theresa May, ka thënë se sulmuesi i ditës së mërkurë në Londër ishte një shtetas britanik, i cili ishte i njohur për Shërbimin sekret britanik - MI5 dhe ishte hetuar më parë si një "figurë periferike".

Siç shkruajnë imediat e huaja, përcjell Telegrafi, May ka folur në parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, pas sulmit në qendër të Londrës, nga i cili gjetën vdekjen katër persona, duke përfshirë edhe sulmuesin.


Ajo ka thënë se sulmuesi ishte një figurë "periferike" dhe u hetua nga MI5 "disa vite më parë".

May ka shtuar se një hetim i plotë kundër-terrorizmit është duke u zhvilluar për të krijuar një pasqyrë në lidhje me këtë sulm - duke përfshirë përgatitjen, motivimin dhe nëse ka pasur ndonjë bashkëpunëtorë të përfshirë në planifikimin e tij.

Kryeministrja britanike gjithashtu ka bërë të ditur se niveli i kërcënimit terrorist i vendit nuk do të rritet, pavarësisht sulmit.

Sipas saj, niveli i kërcënimit mbetet në "i rëndë", që do të thotë se një sulm është shumë i mundshëm.

“Nuk do të ngrihet në nivelin tjetër, sepse nuk ka të dhëna se një sulm i veçantë është i pashmangshëm”, thotë May. /Telegrafi/