Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut e nisi muajin nëntor me ndeshje miqësore kundër Letonisë, ndërsa dueli në Arenën “Todor Proeski” në Shkup përfundoi me rezultat 0-0, njofton Telegrafi.

Ky takim shërbeu si provë para ndeshjes me Uellsin në Kardif, e cila do të vendosë se kush do të përfundojë në vendin e dytë në grupin kualifikues për Botërorin 2026, pozitë që siguron një epërsi në fazën e play-off-it për turneun që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.


Sa i përket lojës, përzgjedhësi Milevski e nisi me një formacion të përzier, duke pushuar disa nga titullarët kryesorë. Në vend të tyre luajtën Ashkovski, Stojçevski, Rastoder, Ristovski.

Ndeshja filloi me pak raste dhe me shumë lojë në mesfushë, pa rrezik serioz për portat. Rasti i parë erdhi në minutën e 24-t, kur Gutkovskis gjuajti mbi traversë, ndërsa tre minuta më vonë, Tihomir Kostadinov rrezikoi me kokë, por portieri Matrevics reagoi saktë. Edhe Dimitrievski u dallua me pritjet e tij, duke mbajtur portën të paprekur.

Para përfundimit të pjesës së parë, Nikolla Serafimov kishte një rast të mirë, por edhe atë e ndali portieri letonas. Në pjesën e dytë, Milevski aktivizoi lojtarë si Qamili, Ramadani, Elmas, Trajkovski dhe Miovski. Loja mbeti e qetë dhe pa shumë rrezikshmëri, me një rast të Rastoderit në minutën e 58-t që u ndal sërish nga Matrevics.

Letonia rrezikoi seriozisht në minutën e 70-t kur Ikaunieks goditi shtyllën e portës së Dimitrievskit. Deri në fund, Maqedonia ishte më aktive, por pa arritur të shënojë. Kjo është hera e parë që Letonia nuk pëson humbje kundër Maqedonisë, pas pesë disfatave radhazi në përballjet e mëparshme. /Telegrafi/

telegrafi sport app