Tesla konfirmon zyrtarisht se po i jep fund prodhimit të modeleve të saj ikonike Model S dhe Model X

Tesla ka konfirmuar zyrtarisht se po i jep fund prodhimit të modeleve të saj ikonike Tesla Model S dhe Tesla Model X, duke u bërë thirrje blerësve që të veprojnë shpejt përpara se të mbarojë stoku.
Në një email drejtuar klientëve në SHBA, kompania falënderoi për mbështetjen ndër vite dhe la të kuptohet se kjo lëvizje lidhet me një strategji të re drejt teknologjive autonome.
Model S, i prezantuar në vitin 2012, konsiderohet si një nga makinat që e bëri serioze epokën e automjeteve elektrike, falë performancës së lartë dhe përshpejtimit të menjëhershëm.
Ndërkohë, Model X, i lançuar në 2015, u dallua për dyert unike “Falcon Wing” dhe kombinimin e teknologjisë me hapësirën familjare.
Vendimi i Teslës vjen në një kohë kur konkurrenca është rritur ndjeshëm, me modele si Lucid Air, Porsche Taycan, si dhe SUV-të elektrikë si Rivian R1S dhe Hyundai Ioniq 9.
Kompania pritet të zhvendosë fokusin drejt projekteve të reja si robotaksi Tesla Cybercab dhe roboti humanoid Optimus, duke synuar të transformohet përtej një prodhuesi tradicional makinash. /Telegrafi/


















































