Trupat e Forcave të Armatosura të Shqipërisë të vendosura në zonat e prekura nga tërmeti në Turqi kanë arritur të shpëtojnë një fëmijë pesë vjeç dhe kanë nxjerrë nga rrënojat gjashtë trupa të pajetë.
Lajmin e bënë të ditur Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi në një postim në Facebook ku ka shpërndarë edhe video nga operacioni i shpëtimit të ekipit nga Shqipëria, raporton Telegrafi Shqipëri.
“Në sfidë me rrënojat, motin e ftohtë e lodhjen, trupat tanë të FA janë duke punuar prej orësh, pa ndërprerje duke shpëtuar jetën e një fëmije 5 vjeç dhe duke nxjerrë nga rrënojat 6 trupa të pajetë në zonën e Mallatjas, në Turqi”, tha Peleshi.
“Skuadrës së parë sapo i janë bashkuar edhe forcat të tjera nga Shqipëria në këtë betejë për jetën, ndërkohe në dispozicion për të shtuar mbështetjen”, shtoi ai.
Ndërkohë, numri i viktimave nga tërmeti që goditi Turqinë dhe Sirinë është rritur në 11 mijë, derisa ekspertët paralajmërojnë që kjo shifër do të rritet akoma.
Deri më tani nuk dihet numri i saktë i qytetarëve sirianë që humbën jetën nga tërmeti, për faktin se disa zona kontrollohen nga rebelët dhe ekipet e shpëtimit po hezitojnë të nisen atje, transmeton Telegrafi.
Në anën tjetër, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan i cili po viziton zonat e prekura turke nga tërmeti, ka njoftuar se deri më tani kanë humbur jetën 8754 persona. /Telegrafi/