Zyrtarët doganorë në pikën kufitare të Vermicës kanë parandaluar disa tentime për kontrabandë të mallrave përmes dërgesave të postës së shpejtë.

Sipas Doganës së Kosovës, gjatë kontrollit të dërgesave u identifikuan mallra të ndryshme të cilat dyshohet se po tentohej të futeshin në vend në mënyrë të kundërligjshme.


"Vlera e përafërt e këtyre mallrave, sipas vlerësimeve fillestare, kalon shumën prej 5,000 eurosh, ndërsa zyrtarët doganorë janë duke verifikuar saktësisht vlerën totale të produkteve si dhe përputhshmërinë e dokumentacionit të dërgesave me rregullat doganore në fuqi", thuhet në njoftim.

Ndaj personave përgjegjës janë inicuar procedurat kundërvajtëse, ndërsa mallrat janë sekuestruar në përputhje me ligjin.

Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit, transparencën dhe integritetin në çdo procedurë doganore, duke parandaluar çdo tentativë për shmangie të detyrimeve ligjore dhe dëmtim të tregut të ndershëm./Telegrafi/