Një pasagjer i dehur shkaktoi kaos në një fluturim të Ryanair nga Bournemouth drejt Gironës më 4 shtator, pasi tentoi të hapte dyert e emergjencës në ajër.

Sipas raportimeve, burri bërtiste “dua të dal” dhe u përpoq të hapte dyert, duke shkaktuar një zënkë masive mes pasagjerëve.


Dëshmitarët thanë se ai goditi dhe pështyu persona të tjerë para se të mbahej i shtrirë në dysheme, me një rrip sigurie të lidhur te kyçet.

Në incident pati të lënduar me gjakosje, ndërsa disa pasagjerë përjetuan sulme paniku.

Policia franceze e priti aeroplanin në aeroportin e Tuluzës dhe 13 oficerë e nxorën forcërisht jashtë.

Fluturimi vazhdoi për në Girona me rreth dy orë vonesë.

Disa pasagjerë e përshkruan ngjarjen si “traumatike dhe turpëruese”, duke fajësuar konsumin e tepruar të alkoolit në aeroporte.

Ryanair tha se ka politikë “zero tolerancë” ndaj sjelljes së tillë dhe do të vazhdojë të marrë masa për sigurinë e udhëtimeve. /Telegrafi/