Një debat i papritur ka shkaktuar tension në studion e emisionit “E Diell”, ku e ftuar ishte ish-banorja e “Big Brother VIP Kosova”, Kader Kicaj. Atmosfera që fillimisht ishte e qetë dhe miqësore ndryshoi krejtësisht kur në bisedë u përfshi emri i Lumbardhit, ish-partnerit të saj.

E pyetur për jetën personale, Kaderi u shpreh se po e shijon paqen e vet dhe nuk është në një lidhje:
“Jam shumë mirë, jam në paqe, jam single,” tha ajo me qetësi.


Por gjithçka mori një kthesë të papritur kur Xheneta, një tjetër e ftuar në panel, përmendi emrin e Lumbardhit, duke e futur bisedën në një territor të ndjeshëm. Ajo zbuloi se pas përfundimit të “BBVIP Kosova”, kishte marrë mesazhe dhe vëmendje nga disa ish-banorë, përfshirë edhe Lumbardhin.

“Më ka bërë follow dhe më ka ngacmuar, por unë e refuzova nga respekti për Kaderin,” deklaroi Xheneta, duke shtuar se mes tyre nuk kishte pasur më parë ndonjë kontakt apo afrimitet.

Kjo deklaratë duket se nuk u prit mirë nga Kaderi, e cila u duk e mërzitur dhe menjëherë kërkoi të mbyllej diskutimi rreth kësaj teme:
“A ka mundësi ta ndërpresim këtu këtë muhabet? Nuk kam ardhur të flas për ex-at,” tha ajo me një ton të prerë, përpara se të largohej nga studio, duke e lënë pjesën tjetër të panelit të habitur.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku fansat janë ndarë mes atyre që mbështesin vendimin e Kaderit për të ruajtur privatësinë dhe atyre që mendojnë se të ftuarit publikë duhet të përballen me pyetje të tilla. /Telegrafi/