Televizioni publik i Serbisë, RTS, i cili funksionon në linjën proqeveritare të presidentit serb, Aleksandar Vuçiqit, ka ftuar në emisione televizive, Nikolla Shainoviqin - i dënuar nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës me 18 vite burg për krime kundër popullsisë civile dhe shkelje të ligjeve të luftës në Kosovë.

Funksionari malazez Amil Grbovic ka reaguar ashpër duke e krahasuar daljen e Shainoviqit në RTS me një situatë të pamundur historike.


“Imagjinoni Joachim von Ribbentropin të ftohet në televizionin gjerman në vitet 1970 për të mbrojtur veprimet e nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo është e njëjta situatë”, ka shkruar ai.

Analisti Naim Leo Besiri ka theksuar se ftesa e Shainoviqit për të komentuar bombardimet që ai vetë i shkaktoi, është një tregues i mungesës së përgjegjësisë dhe reflektimit mbi të kaluarën.

“Një vend ku një kriminel lufte i dënuar ftohet në RTS ditën kur filluan bombardimet, ka pak për të shpresuar”, ka deklaruar Besiri.

Ai ka rikujtuar se Shainoviq dhe forcat e ish-RFJ-së dhe Serbisë kryen operacione të koordinuara kundër shqiptarëve të Kosovës, duke përfshirë granatime dhe djegie të fshatrave, vrasje dhe maltretime ndaj civilëve, shkatërrim të pronave dhe vendimeve fetare, si dhe dëbime masive të popullsisë.

Sipas Besirit, këto nuk ishin incidente të izoluar, por pjesë e një politike sistematike persekutimi dhe krimesh kundër njerëzimit.