LAJMI I FUNDIT:

Teknologjia është krijuar për njeriun, jo njeriu për teknologjinë

Teknologjia është krijuar për njeriun, jo njeriu për teknologjinë
Aldous Huxley më 1957 (Bettmann / Getty Images)

Pjesë nga intervista e BBC-së me shkrimtarin dhe filozofin anglez Aldous Huxley (30 korrik 1962)
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Te Brave New World Revisited [Analizë për Më të mirën e botëve] – që u botua rreth dy vjet më parë – pohuat se janë realizuar shumë prej parashikimeve të juaja. Për shembull, e kam fjalën për përdorimin e drogës dhe për rastin e njerëzve të cilëve u drejtohen mendimet teksa ata janë në gjumë – kjo përmes muzikës që luhet ose përmes mesazheve që lëshohen nëpër jastëkë e kështu me radhë. Në cilën shoqëri mendoni se u vërtetua më shumë pjesa më e madhe e asaj që keni parashikuar? Dhe, a është kjo në Amerikë, në Britani, në Rusi, në Kinë …?

Nuk mund të thuash se bëhet fjalë për veçoritë kombëtare apo në përgjithësi për veçoritë politike. Domethënë, mendoj se kur zhvillohen mjetet shkencore teknologjike dhe aplikative, ato thjesht e kanë prirjen që të përdoren. Mendoj se mund të thuhet se e gjithë historia e kohëve të fundit, në lidhje me shkencën dhe me teknologjinë, tregon se nëse e mbillni farën e shkencës ose të teknologjisë së aplikuar, ajo vazhdon të rritet. Dhe, rritet sipas ligjeve të qenies së vet, ndërsa ligjet e qenies së tij nuk janë domosdo të njëjta me ligjet e qenies sonë. Dua të them se kjo ndjenjë të cilën e kanë kaq shumë njerëz – dhe që mendoj se dikush e sheh në kaq shumë shoqëri – është kuptimi se njeriu, në vend që ta kontrolloj, po i nënshtrohet shpikjeve të veta aq sa tashti është viktimë e teknologjisë së vet, viktimë e shkencës së vet të aplikuar.


Si mund ta kontrollojë?

Pra, ky është problemi. Ajo që dua të them është se mendoj se ky është ndoshta një prej problemeve kryesore të kohës sonë – se si ta përdorim për të mirë këtë gjë. Mendoj se, mbi të gjitha, kjo thuhej në Ungjill – se Shabati u krijua për njeriun dhe jo njeriu për Shabatin. Dhe, në të njëjtën mënyrë, teknologjia u krijua për njeriun dhe jo njeriu për teknologjinë. Por, për fat të keq, zhvillimet e historisë së fundit shoqërore dhe shkencore kanë krijuar një botë në të cilën duket se njeriu është krijuar për teknologjinë dhe jo e kundërta – siç do të duhej. E, ne duhet ta trajtojmë këtë problem me shumë seriozitet dhe të shohim se si mund ta rivendosim kontrollin mbi shpikjet tona.

Letra e Hakslit për Oruellin (1949): Vizioni im për ferrin e së ardhmes është më i saktë se i yti!
Lexo po ashtu Letra e Hakslit për Oruellin (1949): Vizioni im për ferrin e së ardhmes është më i saktë se i yti!

Por, a mund të thoni se Amerika apo Britania ishin të prira për të vuajtur nga artet e bindjes apo të shpëlarjes në masë të trurit, po aq sa edhe shoqëritë diktatoriale?

Fatmirësisht, momentalisht ka një traditë të konsiderueshme kushtetuese në të dy këto shtete, gjë që i frenon këto lloje të aktiviteteve. Për shembull, them se një nga autorët më të aftë për problemet sociologjike – sipas meje – është autori francez, profesori Ellul [Jacques Ellul] i cili dallimin midis totalitarizmit, totalitarizmit rus dhe qytetërimeve perëndimore, në thelb e sheh si ndryshim në gatishmërinë për të përdorur menjëherë dhe sa më shumë teknologjinë. Dua të them se ndër këndvështrimet e para që pohoi është se socializmi do të vinte përmes përdorimit në masë të teknologjisë. Dhe, regjimi rus ka qenë gjithmonë i përgatitur të ndjek logjikën e teknologjisë. Ndërkaq, në Perëndim ne ende kujtojmë John Stewart Millon, James Millin, [Thomas] Jeffersonin etj. Në mënyrë të turbullt ne ende i mbajmë në mend parimet e krishterimit dhe jemi paksa ngurrues për të zbarkuar në teknologji, për të lejuar teknologjinë që të na marrë përsipër. Por, në terma afatgjatë ne në përgjithësi dorëzohemi. Dua të them se në këtë kontekst më kujtohet vargu te Don Zhuani i [Lord] Bajronit për zonjën që zotohet se nuk do të nënshtrohet. Por, në aspektin afatgjatë ne nënshtrohemi. Në periudhat afatshkurtra ngurrojmë dhe hezitojmë për këtë, por përmes teknologjisë së avancuar jemi të prirë të shkojmë në një drejtim të caktuar të cilin nuk e shoh si të dëshirueshëm. Prandaj, mendoj se duhet të fillojmë të mendojmë shumë më shumë për këtë problem dhe të shohim se si mund ta marrim, sërish, kontrollin mbi shpikjen tonë. Mendoj ky është një lloj i problemit të përbindëshit të Frankenshtajnit

Utopia e Alldos Haksllit
Lexo po ashtu Utopia e Alldos Haksllit

Le të supozojmë se kjo perspektivë e frikshme është e mundshme. Ajo që do t’ju pyes është nëse njerëzit do të jenë të lumtur nën këtë lloj regjimi?

Mund të them se kjo është një nga ato gjërat që mund t’i quaj mesazhe të [veprës] Më e mira botëve; se është e mundur t’i bëjmë njerëzit të lumtur – me skllavërinë e tyre. Mendoj se kjo mund të bëhet; mendoj se është bërë në të kaluarën. Por, mendoj se mund të bëhet edhe më efektive tash, sepse atyre mund t’jua siguroni bukën dhe cirkun dhe mund t’jua siguroni sasitë e pafundme të shpërqendrimeve dhe të propagandave.

Mendoj se kjo çështje tregon se sa në vërtet e vlerëson njeriu lirinë. Ose, në të vërtetë, se sa frikësohet të jetë i lirë. E kam fjalën për dikë si unë që është rritur në kohën e luftës. Ajo që dua të them është se a besoni se jam më pak i lirë se dikush që është rritur në vitet ‘20 ose ‘80 të shekullit të kaluar [XIX] ose në shekullin XVIII.

Epo, kjo krejtësisht varet nga ajo se kush ke qenë në vitet ’80 të shekullit të kaluar ose në shekullin XVIII. Them se, po të ishe zotëri nga fshati, me të ardhura, do të ishe jashtëzakonisht i lirë. Por, po të ishe fshatar në pronën e tij, do të ishe jashtëzakonisht jo i lirë. Dua të them se më duket se mbase fjala liri është term shumë i paqartë në këtë lloj konteksti; mendoj se ajo që duhet të pyesim është se cili lloj i modelit shoqëror dhe cili lloj i regjimit politik merret më së miri parasysh për të ndihmuar individët brenda shoqërisë dhe për të kuptuar shkallën maksimale të potencialeve të tyre të dëshirueshme. Dua të them se është mjaft e qartë se shumica prej nesh funksionojmë me rreth 10 përqind të kapacitetit. Dhe, do të ishte mirë nëse mund të funksionojmë me 20 përqind në vend të 10 përqindëshit.

E ardhmja futuristike e botës
Lexo po ashtu E ardhmja futuristike e botës

E keni ndonjë ide të qartë se si mund të arrihet kjo? Se cili lloj i shoqërisë do të ishte?

Epo, kam ide, por nuk e di nëse janë varrosur [ato ide] ose jo. Në fakt, sapo kam përfunduar një lloj të fantazisë utopike që është e kundërt nga Më e mira e botëve e që ka të bëjë me një shoqëri në të cilën bëhen përpjekjet serioze për të ndihmuar anëtarët e saj që t’i kuptojnë potencialet dëshiruara. Kam hyrë në të dhe dua të them se kjo është një përpjekje për të shkruar atë që mund të quhet utopi praktike. Natyrisht, nuk ka gjë më të lehtë sesa të shprehësh idealet dhe të thuash se a nuk është më mirë nëse të gjithë do jenë më të kujdesshëm, më të sjellshëm dhe më të dashur etj. Sigurisht që do të ishte gjë e mirë, por çështja është se si i zbatoni këto ideale; si i përmbush qëllimet më të mira sociale dhe psikologjike. Dhe, kur zbret në këtë problem, e sheh se organizimi i jetës familjare, organizimi i edukimit, organizimi i jetës seksuale, organizimi i jetës shoqërore dhe ekonomike është problem shumë më kompleks. Dua të them se ka faktorë të pafund të përfshirë në këtë. E, të përpiqesh të gjesh se cilët duhet të jenë gjithë këta faktorë, kjo, sa më përket mua – nuk e di nëse dikujt tjetër i duket kështu – është punë shumë interesante. /Telegrafi/